Me moton "Thuaj Jo qeseve plastike! Ruaje mjedisin", Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës bëri të ditur se është finalizuar Udhëzimi Administrativ, me ç’rast qeset e plastikës janë bërë me pagesë e disa do të ndalohen krejtësisht.
Në një konferencë për media të enjten ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu, tregoi se cilat qese do të ndalohen e cilat do të bëhen me pagesë.
"Do të kemi ndalim të prodhimit të qeseve të plastikës. Do të lejohen vetëm qeset që lejohen për fruta, nga 25 deri 50 mikronë, do të lejohet përdorimi i tyre, do të kushtojnë 5 centë, por nuk do të lejohet të ketë logo të reklamës. Këto sisteme po aplikohen edhe në vendet e aplikimit. I tërë sistemi që ka të bëjë me menaxhimin e mbeturinave ka fokus kryesor tek ekonomia qarkore, por e rëndësishme është që ne t'i zvogëlojmë mbeturinat dhe t'i ndajmë ato", tha Aliu.
Zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi tha se nëse ky projekt ka sukses, atëherë do të ketë ulje të përdorimit të qeseve te plastikes për rreth 33 për qind.
Edhe Shefja e Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, Vera Baumann, u shpreh e lumtur për këtë hap.
Baumann, derisa tha se secila kompani duhet të zbatojë këtë vendim, shtoi se shteti Gjerman do të vazhdojë të mbështesë Kosovën për një mjedis të pastër.