Ahmeti: Avancimi i statusit të Kosovës në CEFTA, nuk e garanton suksesin në Procesin e Berlinit
Intervista
Lexohet për: 4 min.
Ahmeti: Avancimi i statusit të Kosovës në CEFTA, nuk e garanton suksesin në Procesin e Berlinit
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Zhbllokimi i vendimmarrjes dhe avancimi i statusit të Kosovës në CEFTA, nuk e garanton suksesin në Procesin e Berlinit, thotë zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti. Sipas tij, këto zhvillime pozitive mund ta mundësojnë suksesin në samitin e 14 tetorit, mirëpo thelbësore konsideron se është zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese të Procesit të Berlinit, të cilat po i bllokon Serbia dhe serbët e Bosnjë Hercegovinës.

Ahmeti në një intervistë për KosovaPress, thotë se Gjermania si hisedarë kryesor në Proces të Berlinit, duhet të këmbëngulë dhe vendosë masa ndaj atyre që nuk po i zbatojnë marrëveshjet, krahas nënshkrimit të ujdive të reja.

Ai akuzon Serbinë që nuk po zbaton marrëveshjen për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, ndërkaq, shton se Bosnja për shkak të Republikës Serbe s’po miraton marrëveshjen për liri të lëvizjes me Kosovën.

Megjithatë, Ahmeti thekson se në samitin e 14 tetorit në Berlin, do të synohet të miratohet plani i dytë i veprimit për Procesin.

“(Ngritja e statusit të përfaqësimit të Kosovës në CEFTA)Kjo e mundëson suksesin, por nuk e garanton. Këtë po e them pasi në Procesin e Berlinit ne tashmë i kemi katër marrëveshje të cilat janë të rëndësishme, të arritura para dy viteve tri prej tyre dhe vitin e kaluar e katërta. E kam fjalën për marrëveshjen për lëvizje të lirë me letërnjoftime, marrëveshjen për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, gjithashtu edhe dy marrëveshje që kanë të bëjnë me njohjen e certifikimeve të profesioneve të caktuara. Suksesi varet nga zbatimi i këtyre marrëveshjeve. Çfarë po shohim aktualisht është se të gjitha vendet përveç Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, specifike Republikës Serbe kanë lëvizur përveç këtyre dyjave...Gjermania do të duhej të këmbëngulte dhe të vendoste masa nëse ata nuk e bëjnë, por ne assesi nuk duhet ta mbajmë vetën peng për marrëveshjet e radhës nga disponimi i Vuçiq apo Dodik. Serbia në anën tjetër nuk po zbaton marrëveshjen për njohjen e diplomave të arsimit të lartë”, thekson ai.

Ai flet edhe për heqjen e masës së sigurisë ndaj mallrave serbe përmes pikës kufitare në Merdarë, derisa e konsideron sukses për Kosovën përfaqësimin në CEFTA, pa UNMIK-un.

Ai thekson se Kosova do të hapë pikat të tjera kufitare për mallrat serbe në momentin kur do të sigurohen skanerët.

Sa i përket raporteve me shtetin gjerman pas presionit të tyre për largimin masave të sigurisë dhe paralajmërimeve për largim të Kosovës nga Procesi i Berlinit, Ahmeti thotë se raportet janë të shëndosha, mirëpo mes partnerëve jo gjithmonë ka pajtim për qasjen apo metodën si të vazhdohet tutje.

Duke folur për dialogun me Serbinë dhe mundësinë që fryma konstruktive të kësaj të fundit sa i përket avancimit të statusit të Kosovës në CEFTA, të bartet edhe në këtë proces, Ahmeti thotë se rruga për suksesin e dialogut është e qartë, përmes nënshkrimit të marrëveshjes bazë dhe tërheqjes së letrës së ish-kryeministres, Ana Bërnabiqit.

Ai thotë se roli i ShBA-së në dialog është mjaft pro-aktiv, derisa përmend edhe vizitën që e pati gjatë kësaj jave të emisarit të ShBA-së për dialogun, Alexandër Kasanof në Kosovë.

Sa i përket veriut, ai thotë se qeveria ka shtrirë sovranitetin dhe sundimin e ligjit në atë pjesë, derisa thekson se po presin që në momentin e duhur të hapin edhe urën e Ibrit.

Krahas këtyre, Ahmeti i konsideron të suksesshëm edhe qëndrimin e kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentes, Vjosa Osmani në ShBA, në takimet gjatë margjinave të Këshillit të Sigurimit në OKB.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024