FIFA ka hedhur poshtë pretendimet për manipulim të ndeshjeve gjatë Kupës së Botës 2026, duke bërë të ditur se Task Forca për Integritetin nuk ka gjetur asnjë provë që të tregojë për kurdisje apo aktivitete të dyshimta bastesh gjatë turneut.
Sipas deklaratës zyrtare, grupi i përbërë nga ekspertë të FIFA-s, FBI-së, INTERPOL-it, Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, Këshillit të Evropës dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Integritetit të Basteve monitoroi në kohë reale tregjet e basteve dhe zhvillimet në fushë përgjatë të gjitha 104 ndeshjeve të turneut.
Deklarata vjen pas polemikave që shoqëruan Botërorin, veçanërisht pas eliminimit të Egjiptit, kur Federata Egjiptiane e Futbollit kërkoi përjashtimin e ekipit të arbitrave të ndeshjes ndaj Argjentinës, ndërsa trajneri Hossam Hassan akuzoi FIFA-n për favorizim të Lionel Messit. Më vonë, edhe një pëlqim nga llogaria e Cristiano Ronaldos në Instagram ndaj një postimi që akuzonte FIFA-n për korrupsion shtoi debatet në opinion.
Menaxheri i Lartë i Integritetit në FIFA, Liam Rich, tha se Task Forca ofroi një mekanizëm të fuqishëm për shkëmbimin e informacionit dhe vlerësimin e çdo shqetësimi të mundshëm, duke theksuar se i njëjti model do të përdoret edhe në turnetë e ardhshëm, përfshirë Kupën e Botës për Femra.