Aktakuzë për vrasjen e rëndë në Gjilan
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet V.S. dhe F.M., të cilët gjenden në paraburgim prej datës 12 nëntor të vitit 2024.
Ata akuzohen për vrasjen që kishte ndodhur më 7 nëntor 2024, pas një konflikti fizik të ndodhur dy vjet më parë.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se “i pandehuri V.S., më 7 nëntor 2024, rreth orës 14:00, në rrugën ,”Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan, me dashje, për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy viteve, ka privuar nga jeta tani të ndjerin S.O., në atë mënyrë që derisa i ndjeri ishte duke hyrë në veturë, i afrohet dhe me armë e gjuan në pjesën e pasme të shpinës, ku pasi rrëzohet në tokë e godet me grusht dhe shqelm dhe më pas së bashku me të pandehurin F.M. janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i ndjeri për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë”.
I njëjti akuzohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, pasi pa autorizim ka mbajtur në pronësi armë zjarri, e cila është sekuestruar.
“I pandehuri F.M., që nga data 7 – 12 nëntor 2024, në vende të ndryshme në Gjilan, me dashje ka ndihmuar të pandehurin V.S., në fshehjen - mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë, me çka ka kryer veprën penale ‘’Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’’, nga neni 380 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.