Aktakuzë ndaj një personi që kanosi deputetin Avdullah Hoti përmes Facebook-ut
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngrehur aktakuzë ndaj të pandehurit R.S. për shkak se kishte kanosur një deputet të Kuvendit të Kosovës. KosovaPress mëson se bëhet fjalë për deputetin Avdullah Hoti.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngrehur aktakuzën për veprën penale “Kanosja”, thuhet në komunikatën për media.
“Sipas aktakuzës, më 15.12.2022 në Prishtinë, pasi i dëmtuari A.H., deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte postuar në profilin e tij në rrjetit social ‘Facebook’ mendimin e tij për zhvillimet politike në vend, i pandehuri i lartcekur, me qëllim të frikësimit, e përmes llogarisë së tij personale në rrjetin social ‘Facebook’, i shkruan koment që lidhet me punën apo me pozitën e të dëmtuarit dhe e kanosë seriozisht me fjalët: ‘Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh’, ku me këtë rast tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri kryen veprën penale të kanosjes”, thuhet aty.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.