Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të ketë paraqitjen e tij të parë në rastin e ri të ngritur kundër tij dhe tre të akuzuarve të tjerë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nga ora 09:30
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë ngritur aktakuzë të re ndaj Thaçit për siç thuhet ndikim mbi dëshmitarët.
Ish-kreu i AKI-së Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj, Fadil Fazliu u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kreu arrestimet me mbështetjen e EULEX-it.
Fletarrestimi i lëshuar nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake iu dorëzua Thaçit në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 5 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.Sipas aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit, “Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.”
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, Fazliun dhe Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në kontekstin e gjykimit aktual Thaçi dhe të tjerët.
Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për ditën e hënë, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00.