Aksioni i policisë në veri, mbyllen kaq objekte postare pa licencë
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Policia e Kosovës ka zhvilluar të hënën një aksion në objektet e Postës së Serbisë në veri të vendit tonë. Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, i cili bëri të ditur se aksioni është ndërmarrë pas një shkrese, informate të pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), se në territorin e Kosovës operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe të paregjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

“Pas një shkrese/informate të pranuar nga ARKEP, se në territorin e Kosovës operojnë operator ekonomik pa licencë dhe të pa regjistruar në ARBK, njësi policore kanë shkuar për verifikim të këtij informacioni. Informacioni ka rezultuar të jetë i sakte me ç’rast policia ka njoftuar prokurorin e shtetit  dhe tutje vazhdojmë sipas autorizimeve te tij”, ka thënë Elshani në një përgjigje për KosovaPress.

Sipas tij, deri tani nga 9 lokacione të kontrolluara, 5 janë mbyllur.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës po ashtu ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në nivel vendi, përfshirë veriun e Kosovës.

“Sot gjatë ditës është duke u realizuar një operacion policor në veri të Kosovës, i cili bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa liçencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës. Bazuar në informacionet zyrtare kanë filluar hetimet policore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku deri më tani janë identifikuar nëntë lokacione ku funksiononin posta të tilla ilegale”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024