Aksion ndaj autobusëve të Podujevës e Lipjanit, paralajmërohen gjoba e sekuestrime
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Linjat e autobusëve të Podujevës dhe Lipjanit, nuk janë duke i respektuar rregullat që të kalojnë në linjat e paracaktuara dhe të mos futen në brendësi të Prishtinës. Për këtë Drejtoria e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës ka nisur një aksion nën asistimin e policisë, që ka për qëllim të parandalimit të futjes së operatorëve ndërurban në brendi të qytetit.
Drejtori i Inspeksionit të komunës së Prishtinës, Florian Dushi tha për KosovaPress, se ky aksion i inspektoratit komunal është duke vazhduar, ndërkaq janë duke shikuar edhe për linja të tjera, të cilat nuk po zbatojnë rregullat.
“Është një aksion që po vazhdon dhe do të vazhdojë edhe më tutje. Vendimi është sepse autobusët ose një pjesë e tyre, e autobusëve që kanë të përcaktuara linjat ndërurbane, futen në brendësi të qytetit duke mos pasur të drejtë, sepse ata i kanë të përcaktuara linjat dhe rrugët në kuadër të cilave duhet të qarkullojnë. E kanë të përcaktuar po ashtu që duhet të hyjnë dhe të kryejnë shërbimet e tyre në kuadër të stacionit të autobusëve në Prishtinë, por të njëjtit nuk respektojnë linjat e përcaktuara, nuk respektojnë detyrimin që të futet në stacionin e autobusëve dhe ndjekin rrugët më të shkurta në kryeqytet, duke shkaktuar në këtë formë edhe “tollovi” në trafikun e kryeqytetit... Ka disa linja që qarkullojnë nga komunat përreth Komunës së Prishtinës, siç janë rasti me Lipjanin, me Podujevën por edhe disa të tjera që ne do t’i propozojmë tash forcës për komunikacion në kuadër të kryeqytetit që t’i rishikojë edhe një herë linjat e tyre”, tha ai.
Dushi shtoi se kalimi i këtyre autobusëve në brendësi, po ndikojnë negativisht në trafikun e qytetit.
Bekimi Ahmeti, ekspert i komunikacionit, tha se ky lajm për të është “fantastik”, duke theksuar se ndërurbani i ka bërë gjithnjë konkurrencë urbanit, për nga ana e udhëtarëve.
Ahmeti shtoi se qyteti i Prishtinës, nuk ka kapacitet hapësinor që t’i pranojë 120 mijë automjete brenda qytetit.
Ndërkaq, qytetari Zeqir Vrapca, tha se autobusët ndërurban nuk duhet lejuar në qytet, vetëm atë urban.
Ndërkaq, Drejtoria e Inspeksionit ka kërkuar nga të gjithë operatorët ndërurban që të respektojnë në mënyrë strikte vijën e qarkullimit të tyre për shkak se në të ardhmen, përveç gjobave ndaj tyre, do të iniciohen edhe procedurat e sekuestrimit të përkohshëm të mjeteve të tyre të transportit.
Kujtojmë se Komuna e Prishtinës më 10 mars të këtij viti, ka marrë vendim për moskalimin e autobusëve ndërurban në brendësi të Prishtinës.