Rritja e numrit të rasteve të vdekjeve në aksidentet rrugore mbetet shqetësuese dhe si shkak i kësaj janë mos respektimi i rregullave në komunikacion dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar.
Kështu u tha sot në konferencën e tetë vjetore ndërkombëtare “Mobiliteti i mençur – e ardhmja e transportit te gjelbër dhe të qëndrueshëm”, organizuar nga Kolegji “Tempulli” në bashkëpunim me Asociacionin Kosovar i Motorizimit AMRKS dhe Institutin për Siguri Rrugore dhe Hulumtime të Transportit.
“Për një siguri më të madhe në trafik duhet të bëjmë çmos për përdorimin e teknologjive të reja dhe lëvizjen më të përshtatshëm në qytet për përdoruesit e rrugëve. Qytetarët duke qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes duhet t’i orientojë në ndërlidhjen e katër shtyllave me të cilat është i orientuar një qytet i mençur, infrastrukturën sociale, fizike, institucionale. Këtu përfshihet qeverisja dhe infrastrukturën ekonomike. Me kalimin në transportin e gjelbër nuk mund të mendohet të realizohet shpejt përderisa nuk bëhen përpjekje maksimale me masa konkrete për rregullimin e trafikut aktual, menaxhimin e transportit ekzistues dhe uljen e aksidenteve. Ky proces do të jetë i gjatë dhe i ndjeshëm me plot sfida, por do të rrisë efikasitetin e transportit të sigurisë rrugore. Krijimi i destinacioneve për ecje dhe çiklizëm për përdorimin e transportit publik do të luajë një rol jashtëzakonisht të madh për rritjen e këtij qëllimi dhe në përmbushjen e kufijve ligjorë sa i përket ajrit duke u mbështetur nga burime të energjisë”, tha ai.
Drejtori i Divizionit të Trafikut nga Policia e Kosovës, nënkolonel Jeton Rexhepi, tha se 2021 mbetet viti me numrin më të madh të vdekjeve në aksidentet rrugore.
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku tha se aksidentet e shumta në trafikun rrugor po i sjellin dëme Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ku vetëm vitin e kaluar kanë paguar 10.12 milionë euro dëme
"Në vitin 2021 kanë hyrë gjithsej 425 mijë e 500 polica të sigurimit dhe sigurisht se një pjesë e tyre janë të përsëritura, dhe themi vetëm gjatë muajit korrik dhe gusht të vitit të kaluar kanë hyrë nga pika kufitare 200 mijë vetura. Dhe nëse themi se në Kosovë janë të regjistruara 370 mijë vetura në mënyrë të rregullt do të thotë se numri i atyre që vizitojnë Kosovën me targa të huaja është më i lartë. Këto lëvizje të mëdha këto hyrje në Kosovë sigurisht që shkaktojnë edhe aksidente. Gjatë 2021 në Byro janë paraqitur 4.204 aksidente nga bashkudhëtarë nga të huaj që lëvizin në Kosovë, pa regjistrim ose pa sigurim. Numri i tiketave është në rritje, gjithsej 16 mijë tiketa për automjete të paregjistruara. Për ne është sfidë, sepse Byroja Kosovare ka paguar 10.12 milionë euro dëme vetëm gjatë 2021, e që është shumë e lartë se çdo vit paraprak”, ka thënë ai.