AKP mori disa vendime në lidhje me administrimin, privatizimin dhe likuidimin e NSH-ve
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në mbledhjen e radhës mori disa vendime në lidhje administrimin, privatizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore.

Bordi nga fushëveprimi i vetë aprovoi kërkesën për transferimin e pronës së NSh Drenica (PRN011), Gllogoc me detajet e pronës: Prona e paluajtshme nr. 244-0 ZK Sankoc për realizimin e projektit “Ndërtimi i Fabrikës së riciklimit dhe përpunimit të nën-produkteve shtazore për nevoja të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV)”, që titulli pronësor të kaloj në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës/Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në përputhje me Vendimin Përfundimtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës për Shpronësim nr. 04/58, të datës 12 nëntor 2015.

“Bordi diskutoi edhe për disa asete që shfrytëzohen për interes publik, për të cilat u vendos që të hiqet dorë (18 parcela) dhe të barten në komunat përkatëse pasi të aprovohen nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, si dhe vendosi për një numër të qiradhënieve direkte të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore”, thuhet në komunkatë.

Në vijim të mbledhjes, Bordi shqyrtoi rezultatet e ofertave të pranuara për pronat që ishin në tender në Shitjen e Aseteve përmes Likuidimit nr. 68 ku miratoi 5 dhe refuzoi 17 shitje të aseteve. Po ashtu u shqyrtua dhe u aprovua lista e aseteve për shitjen nr. 69 (ShAL 69), e cila do të shpallet ditëve në vijim, si dhe aprovoi Raportin e Komisionit të Banesave me rekomandime për 5 raste (1 aprovim dhe 4 refuzime).

Po ashtu në këtë mbledhje u shqyrtuan dhe u aprovuan Raportet e shpërndarjes në likuidim për Nsh “Industria e Duhanit Gjilan – Tobacco” dhe NSh “Ratar”. Bordi  shqyrtoi edhe raportin  mujor të Menaxhmentit, me theks të veçantë atë për Nsh Ineks Brezovica, si dhe çështjet e zbatimit të vendimeve të Bordit nga menaxhmenti  lidhur më përgatitjet sa më të mira për sezon.

Më tutje, Bordi diskutoi dhe miratoi amandamentimin e Rregullores për Shitje Direkte dhe Rregullores për Ofruesit e  Shërbimeve. U diskutuan edhe çështje të tjera në kuadër të veprimeve që po ndërmerren në AKP për të përmirësuar proceset e administrimit dhe menaxhimit sa më të mirë të pasurisë shoqërore.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024