Demonstratat e vitit 1981 e ndryshuan rrjedhën politike dhe historike të shqiptarëve.
Kështu u tha në akademinë përkujtimore të organizuar në shënimin e 45-vjetorit të demonstratave të vitit 1981. Në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, ku u mbajt kjo akademi, morën pjesë ish-të burgosur politik e pjesëmarrës në demonstratat e asaj kohe.
“Në atë botë e kohë, para gjysmë shekulli, shqiptarët në Jugosllavi ishin populli më i shtypur dhe më i margjinalizuar politikisht si dhe më i diskriminuari, e i shfrytëzuar ekonomikisht mbi baza etnike. Shqiptarët ishin të privuar nga shumë të drejta kulturore dhe shoqërore, meqë ata konsideroheshin nga shteti i Jugosllavisë si qytetar të pabarabartë me të tjerët, qytetarë të dorës të rendit të dytë si dhe si një komunitet etnik që herët a vonë duhej dëbuar prej territoreve të tyre autoktone duke i spastruar etnikisht ato për të krijuar më shumë hapësirë për Serbinë e madhe. Indinjata e akumuluar ndër vite, atë vit shpërtheu duke u artikuluar politikisht me një lëvizje gjithëpopullore”, tha Kurti.
Parullat si ‘Kosova Republikë’, ‘Ne jemi shqiptarë, jo Jugosllavë’, ‘Bashkim me Shqipërinë’, siç tha Kurti, e tronditën Jugosllavinë.“Gjatë atyre ditëve dhe më pas nga dhuna policore, numri i të vrarëve ishte nëntë. Përveç 15 të plagosurve dhe mijëra të arrestuarve dhe të burgosurve të cilët i pritnin gjyqet e montuara politike. Gjatë dhe pas këtyre demonstratave popullore, paqësore dhe të drejta. Policët e Serbisë i vranë Asllan Pirevën, Afrim Abazin, Naser Hajrizin, Ruzhdi Hysenin, Sherif Frankun, Ibrahim Krasniqin, Xhelal Maliqin, Salih Abazin dhe Riza Matoshin. Demonstratat e vitit 1981 e ndanë historinë e Kosovës nën Jugosllavi në dysh, duke u bërë gur provues mes integrimit nënshtrues në sistemin jugosllav dhe refuzimit parimor të tij përmes lëvizjeve anti-sistem si rezistencë ndaj dhunës dhe shtypjes shtetërore të një regjimi politik i cili e kishte pushtuar Kosovën dhe e mbante me një federatë me popuj dhe njësi të tjera pa vullnetin e neve banorëve shumicë të vendit tonë”, shtoi ai.
Në këtë akademi përkujtimore, një ndër të dënuarit në demonstrtatat e ‘81-shit dhe ish-kryeministri, Bajram Kosumi tha se këto demonstrata janë një prej ngjarjeve më të mëdha në historinë e re të Kosovës dhe shqiptarëve.
Elmije Plakiqi, e cila është ndër të parat gra që mori armën dhe iu bashkua radhëve të UÇK-së, tha se roli i gruas në këto demonstrata ishte i shumanshëm.
“Edhe pse kanë kaluar mbi katër dekada nga zhvillimi i demonstratave të '81-tës, vitet nuk e kanë zbehur rolin dhe kujtesën e këtyre ngjarjeve, sidomos për pjesëmarrësit dhe organizatorët e tyre. Roli i gruas shqiptare ishte i shumanshëm dhe i plotësuar, duke përfshirë pjesëmarrjen aktive, qëndresën ndaj represionit dhe kontributin në ruajtjen e identitetit kombëtar. Në këtë kontekst, roli i gruas shqiptare përbën një dimension të rëndësishëm të rezistencës shoqërore dhe kombëtare. Gruaja ka luajtur një rol vendimtar dhe aktiv në demonstratat e vitit '81. Ato ishin forcë politike, morale dhe pjesë aktive e demonstratave. Roli i saj ishte shumë i rëndësishëm në këto demonstrata, duke filluar nga pjesëmarrja e saj masive dhe aktive në demonstrata, deri te të qenit organizatore e tyre në qytete të ndryshme të Kosovës. karakter social, duke kërkuar kushte më të mira jetese dhe studimi. Me kalimin e kohës, kur demonstratat morën drejtim politik, pjesëmarrja e grave u bë edhe më e rëndësishme, pasi ato përfaqësonin një pjesë të gjerë të shoqërisë shqiptare”, u shpreh ajo.
“Por, edhe një argument tjetër duhet pasur parasysh që proceset tona nuk kanë përfunduar edhe Kosova e nesërme jo të ndarë do të punojmë për bashkimin kombëtar me Shqipërinë dhe trojet e veta shqiptare....Sillur në proceset e sipërme duhet të kërkohet dhe të punohet edhe në aspektin institucional, shoqëror dhe individual që gjyqi i padrejtë i cili sot po zhvillohet në Hagë duhet të trajtohet si i tillë dhe të lirohen nga burgu: Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli”, përfundoi ai.