Akademi në 1-vjetorin e rënies së Afrim Bunjakut, vajza e tij: Përkushtimi për atdhe është amanet për ne
Lajme
Lexohet për: 3 min.
akademii
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Në 1-vjetorin e rënies së heroit, Afrim Bunjaku është mbajtur akademi përkujtimore në nderim dhe përkujtim të sakrificës së tij për vendin. Rreshterin Bunjaku e kanë kujtuar fëmijët, familja Bunjaku, kolegët e përfaqësuesit e institucioneve. Në këtë akademi përkujtimore u tha se rënia e heroit Afrim Bunjaku ishin kthesa që ndryshoi rrethanat në Kosovë.

Vajza e heroit, Arbenita Bunjaku tha se amanet për familjen Bunjaku janë përkushtimi dhe dashuria për atdhe.

Polici Mirsad Kryeziu i cili ishte pranë rreshterit Afrim Bunjaku në momentet e fundit të jetës së tij, ka ndarë kujtimet për kolegun e tij.

Kryeministri Albin Kurti tha se rreshter Afrim Bunjaku një vit më parë ra dëshmor në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës dhe tërësisë territoriale të vendit. Shefi i ekzekutivit theksoi se Bunjaku u vra sepse nuk deshi që të pësonin të tjerët.

Tutje, Kurti në akademi përkujtimore theksoi se nëntë muaj para sulmit në Banjskë, rreshteri Afrim Bunjaku u caktua si mbikëqyrës i ekipit patrullues në stacionin policor.

Aksioni dhe guximi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, siç shtoi Kurti, nuk përfundoi aty. Kurti tha se për orë të tëra, qindra policë ndërmorën një aksion policor të një niveli të lartë profesional në përballje me terroristët serbë.

Shefi i ekzekutivit tha se xhirimet me dron të 24 shtatorit treguan se prijësi i këtij grupi ishte krimineli, Millan Radojiçiq.

Po ashtu, Kurti shtoi se Serbia duhet të përgjigjet për këtë sulm, sepse tha se është përgjegjëse për sulmin në Banjska.

E, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u shpreh se data 24 shtator është data më e re e shënuar në kalendarin e Kosovës.

Sveçla tha se rrëfimet e kolegëve për Afrimin i ngjajnë atyre që janë trashëguar nga të rënët për atdhe.

Në akademinë përkujtimore për të nderuar heroin Afrim Bunjaku, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha përmendi tri çështje që shënojnë 24 shtatorin e vitit të kaluar.

24 shtatori shënon një prej datave më të rënda për historinë e Kosovës. Policia e Kosovës u përball me sulm terrorist, në krye me kriminelin serb, Millan Radojçiq.

https://kosovapress.com/perballja-per-shtetesi-dhe-sulmi-terroriste-ne-banjske

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024