Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka ngritur çështjen e ndotjes së ajrit, duke theksuar se mbetet një nga sfidat më të mëdha mjedisore dhe shëndetësore në vend, duke u konsideruar si emergjencë globale e shëndetit publik.
IKSHPK thekson se termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, që përdorin thëngjillin, lëshojnë në atmosferë substanca të dëmshme si ozoni, oksidet e azotit, dioksidi i squfurit dhe grimcat e imëta PM10 dhe PM2.5.
“Më shumë se 90% e grimcave të dëmshme ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin respirator, duke rritur rastet e infeksioneve, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Ndër pasojat kryesore përfshihen rritja e vdekshmërisë, përkeqësimi i sëmundjeve të frymëmarrjes, dëmtimet në sistemin kardiovaskular dhe rreziku kancerogjen”, thuhet në komunikatë.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme, pasojat në shëndetin e qytetarëve dhe rritja e vdekshmërisë do të jenë shqetësuese.