Pesë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve nacionale në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u ka bërë thirrje partive dhe subjekteve politike që të respektojnë privatësinë dhe të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor të 7 qershorit.
Në një njoftim për media, AIP thekson se ruajtja e integritetit zgjedhor kërkon respektim të plotë të të drejtave të qytetarëve në raport me përpunimin e të dhënave personale.
Po ashtu, AIP kërkon që të mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera, për qëllime të marketingut politik.
Sipas Agjencisë, subjektet politike duhet të shmangin ekspozimin e të dhënave personale gjatë komunikimit përmes postës elektronike, mesazheve telefonike apo thirrjeve telefonike pa pëlqimin paraprak të qytetarëve.Agjencia gjithashtu u bën thirrje partive të shmangin çdo formë të profilizimit ose përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe janë ndërmarrë masat e nevojshme mbrojtëse.
Ndërkohë, AIP kërkon transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave personale, përmes publikimit të politikave të qarta dhe të qasshme të privatësisë.