Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për një valë të re të fushatës kundër mediave dhe gazetarëve të nisur nga zyrtarë të partisë më të madhe politike në vend, Vetëvendosje.
AGK iu referua deklaratave nga deputetë dhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie, përfshirë Adnan Rrustemin, Mefail Bajqinovcin dhe Dejona Mihalin, të cilët, siç thuhet, “kanë shkruar dhe shpërndarë materiale që flasin për ‘pagesa me çanta’ në raport me gazetarët”.
“Kjo e ditëve të fundit vjen si reagim ndaj deklaratave në një emision televiziv, prodhim i BIRN Kosova ku flitet për atë se si “narrativa dezinformuese për Banjskën u shpërnda edhe në studio të televizioneve kosovare?” dhe “kemi operacion ku paret me çanta të strukturave të BIA-s, janë nxanë në veri të Mitrovicës duke iu dorëzuar agjentit shqiptar, i cili më pas ka pasë mi çu te ni gazetar””, thuhet tutje në reagim.
AGK-ja konsideron se deklarata të tilla përgjithësuese ndaj “mediave online” dhe “studiove televizive” janë të papërgjegjshme.