Aftësia për të jetuar së bashku
Lexohet për: 7 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

 “Interesi vetjak është armiku i çdo dashurie të vërtetë”. (Franklin D. Roosevelt)

1.

Aftësia e njerëzve për të jetuar së bashku! Është një nga faktorët kryesorë të suksesit të një shteti, thotë J. Sachs ekonomist i famshëm amerikan, në sferën e zhvillimit të qëndrueshëm. Dhe, është vështirë, që të mos pajtohesh me këtë mendim. Sepse, për të jetuar së bashku, vërtetë, duhet pasur aftësi. Një aftësi, që krijon dashuri, besim, respekt dhe vlerësim të sinqertë në mes njerëzve, e veçanërisht optimizëm e idealizëm.  Dhe, që dëbon, urrejtjen, përbuzjen, mosbesimin e xhelozinë. Që kultivon virtytet dhe lufton veset. Që lartëson shpirtin e njeriut.

Për të jetuar së bashku, me njëri tjetrin, e jo, vetëm pranë njëri tjetrit! Nëse, ka diçka që i lidhë njerëzit në mes veti si zamka, ajo është besimi në njëri- tjetrin,  pasi që krijon aftësinë për të jetuar bashkë. Sepse, aty ku nuk ka besim, ka mllef, mëdyshje e dyshim. E, aty ku ka dyshime në njëri tjetrin, nuk ka përpjekje për interes të përgjithshëm, por, ka vetëm një ngarendje histerike, e plot gulçim, drejt plotësimit të interesit personal, pa mëshirë për të tjerët, qoftë edhe duke shkelur mbi trupat e tyre.

2.

Pse disa shtete e shoqëri, arrijnë që të realizojnë lehtas interesin e përgjithshëm, duke qenë unik, qoftë edhe në situata të vështira, kurse disa tjera, të përqarë e shpërndarë,  andej këndej, posi vetë e qyqes, vrapojnë vetëm pas interesit personal. Mendimtari i njohur Zh. Zh. Ruso, në një punim të tij, përmes një  alegorie, tregon se si funksionon të menduarit e njeriut, gjatë luftës së përmbushjes së interesit personal, karshi atij të përgjithshëm.

Një grup gjuetarësh të pajisur me rrjeta, shtiza dhe shigjeta dalin për të gjuajtur një bizon të madh,  nga i cili do të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm të gjithë. Kanë për qëllim ta rrethojnë, t’i hudhin rrjetat mbi të, në mënyrë që pastaj nga afërsia ta vrasin më lehtë. Problemi i parë i tyre, është se gjuetia zgjatë tërë ditën, dhe nëse deri në mbrëmje nuk e zënë, ata frikësohen se familjet e tyre do të ngelin të uritur. E dijnë, se do të dështojnë, nëse qoftë vetëm edhe njëri nga gjuetarët nuk do të kryejë detyrën e tij, ashtu si kanë planifikuar. Dështimi edhe i vetëm një hallke të zingjirit, do të shkaktojë dështimin e të gjithëve.

 Në atë pjesë të pyllit ka edhe lepuj, dhe secili nga gjuetarët, mund t’i gjuajë i vetëm ata, pa pasur nevojë për ndihmën e të tjerëve. Problemi këtu qëndron, se nëse edhe vetëm një gjuetar orientohet të gjuaj lepuj, zënja e bizonit do të vështirsohet dhe do të dështojë. Edhe nëse ai gjuetar e zë një lepur, të gjithë të tjerët do të mbesin të uritur sepse ai nuk mjafton për të gjithë. Kjo është dilema e gjuetarëve. Shumica do të dëshironin ta zënë bizonin bashkërisht, mirëpo  ka edhe të tillë që apriori dyshojnë në arritjen e qëllimit të përbashkët. Për këtë arsye edhe pse do të përfitonin më tepër duke zënë bizonin, të tillët vendosin të devijojnë nga qëllimi i përbashkët dhe të ndjekin atë personal, edhe pse ësht ëmë pak i leverdishëm. Nëse të gjithë, do të ishin të sigurtë për përkushtimin e secilit, atëherë të gjithë do të jepnin gjithëçka nga vetja. Në të kundërtën, nëse dikush dyshon, se në mesin e tyre ka të tillë, që mund t’ia kthejnë shpinën qëllimit të përbashkët, për shkak të interesit personal, atëherë do të përfshihen nga pesimizmi, dhe do të orientohet secili në gjuetinë e lepujve. Në këtë mënyrë, ata nuk do të arrijnë të gjuajnë bizonin i cili do t’i përmbushte nevojat e të gjithëve, pasi që secili gjuetar do të përqendrohej me tërë forcat në gjuetinë e bizonit vetëm nëse do të ishte i sigurtë se edhe të tjerët do të bënin ashtu. Pra, faktori kryesor, se a do të jetë gjuetia e suksesshme apo jo, varet nga shkalla e optimizimit dhe e besimit të ndërsjellë të gjuetarëve te  njëri tjetri.

Këtu shihet fuqia, dhe ndikimi i madh i optimizmit, dhe ajo rrënuese e pesimizmit në veprimin e njerëzve. Nëse ata janë optimistë se do ta zënë bizonin, kjo d.t.th. se ata besojnë se asnjëri nuk do të braktisë bizonin për  lepuj. Në anën tjetër, madje nëse paraqitet edhe mosbesimi më i vogël kjo shkakton pesimizëm  që e minon përpjekjen e përbashkët. Dhe njerezit vendosin, që të sakrifikojnë interesin afat gjatë, për një të mirë afat shkurtër, duke rrezikuar kështu edhe ekzistencën e tyre.

Kjo alegori e Rusosë, tregon, se suksesi apo mos suksesi i përpjekjeve, varet nga shkalla e optimizmit e cila mbretëron në shoqëri. Nëse besohet në arritjen e rezultatit të dëshiruar, atëherë do të bëhet gjithëçka që ajo edhe të realizohet. Dhe anasjelltas, nëse është krijuar bindja, se është shumë vështirë për të arritur një cak, atëherë nuk do të bëhen përpjekje, për ta arritur atë, dhe kështu parashikimi pesimist realizohet.

3.

Lufta dhe përpjekjet për përmbushjen e interesave individuale, në vend të atyre të përgjithshme, do të kërkojë energji, dhe resurse shumë më të mëdha, se sa ajo për plotësimin e nevojave të përgjithshme, dhe për më tepër, edhe kosto më të lartë e efektivitet më të ultë. Diferenca në këtë kosto, bën ndryshimin në mes të vendeve të organizuara dhe të paorganizuara. Pikërisht kjo krijon avantazhin kapital të shteteve të zhvilluara, dhe paraqet tagrin e atyre të paorganizuara. Mjafton të kujtojmë depozitat individuale të ujit në Shqipëri, ose gjeneratorët e rrymës elektrike në Kosovë. Edhe në rastin e parë, e edhe në të dytin, deri diku, kishte një përmbushje të interesave individuale (dhe nevojave), por me kosto të përgjithshme shumë më të lartë, dhe madje me cilësi shumë më të ultë, se sa po të punohej, si realizim i një interesi dhe të mire të përgjithshme.

4.

Politikat shtetërore në vendet e përparuara, të zhvilluara e mirë të organizuara, konsistojnë në pajtueshmerinë e mirëkuptimin e njerëzve, mënjanimin e përqarjeve, ngritjen e kohezionit dhe ndërtimin e besimit, nga e cila pastaj rrjedh lumturia dhe optimizmi i përgjithshëm, si bazament i arritjes së suksesit dhe progresit. Dhe, duke dhënë për të kuptuar katërcipërisht, se interesi i përgjithshëm gjithmonë, është më i lartë se sa ai personal.

Sepse, siç ka thënë një mendimtar i njohur, progresi i një  shoqërie, nuk arrihet permes ndërtimit të rrugëve të gjëra e ndërtesave të larta, po përmes ndërtimit të shpirtit të bukur të njerëzve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025