Mbi 800 pacientë kanë vizituar gjatë këtij viti Klinikën e Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa 510 prej tyre janë me diabet. Rreth 75 për qind prej tyre janë diagnostikuar me diabet melit (sëmundjen e sheqerit), ku mbi 90 për qind e tyre janë me diabet të tipit 2, ndërkaq të tjerët me diabet tip 1 dhe diabet gjatë shtatzënisë.
Kështu thotë në intervistë për KosovaPress, drejtoresha e Endokrinologjisë, Merita Sadiku, derisa potencon se gjinia femërore dominon me këtë sëmundje, krahasuar me meshkujt.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...
Sadiku thotë se sëmundja e diabetit ashtu si në tërë botën, edhe në Kosovë është në rritje e sipër. Sipas saj, shkaktarët kryesor janë mos ushqyerja me rregull, mungesa e aktivitetit fizik, prania e stresit etj.
"Në Kosovë dominojnë pacientët me diabet tip 2", thotë ajo.
Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Sadiku thotë se sipas një analize 19 mujore të bërë nga janari 2021 deri në korrik të vitit 2022, tregon se sëmundja e sheqerit shkakton shumë komplikime kronike. Ajo tregon se nga ky hulumtim del se mbi 60 për qind kanë sëmundje kardiovaskulare, 53 për qind neuropati diabetike, ndërsa rreth 25 për qind sëmundje të veshkave nga diabeti. Ajo shton se me këmbë diabetike kanë rezultuar 7.5 për qind.
Diabeti është një sëmundje kronike metabolike e karakterizuar nga nivele të larta të glukozës në gjak, e cila me kalimin e kohës çon në dëmtime serioze të zemrës, enëve të gjakut, syve, veshkave dhe nervave. Më i zakonshmi është diabeti i tip 2, zakonisht tek të rriturit, i cili shfaqet kur trupi bëhet rezistent ndaj insulinës ose nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 422 milionë njerëz në mbarë botën kanë diabet, shumica jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, dhe 1.5 milionë vdekje i atribuohen drejtpërdrejt diabetit çdo vit./Z.Zeneli/