Mbështetje për të rinjtë, mundësi punësimi, zhvillim të sektorëve kyç të ekonomisë, angazhim për projekte të rëndësishme që forcojnë shtetin dhe masa për mbështetje financiare për ata që humbin punën, janë vetëm disa nga prioritetet e kandidatit për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Genc Prelvukaj.
Prelvukaj mban numrin 40 në listën e PDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit. Me përvojë të gjerë në fusha të ndryshme, ai zotohet jetë zë i fuqishëm për qytetarët e vendit.
“Angazhimi në sferat e ndryshme, nuk jam i profilizuar ngushtë, shkaku i shkollimit mund të përfshihem edhe në diskutimet mbi diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe në diskutimet mbi administratën. Pastaj për vite kam punuar edhe si këshilltar politik i ministrit të MKRS-së, ku është edhe trashëgimia kulturore brenda. Derisa ka edhe një vit që kam punuar po ashtu si këshilltar politik i ministrit të Bujqësisë dhe mund të përfshihem edhe në sferat që i takojnë kësaj lëmie. Për shkak të aktivitetit në industritë kreative dhe biznisore mendoj se mund të jem pjesë e debatit edhe mbi tregtinë dhe industrinë, sidomos në rrafshin e pronësisë intelektuale ku kam udhëhequr për vite të tëra si shoqatën për administrim kolektiv të të drejtave të autorit, po ashtu kam qenë edhe në krye të komisionit për hartimin e ligjit”, thekson Prelvukaj.
Prelvukaj thotë se PDK-ja e ka rininë prioritet.“PDK në programin e vet i trajton nevojat e të rinjve në mënyrën adekuate. 65 për qind e listës është me kandidatë që marrin pjesë për herë të parë, kryesisht me moshë të re. Kjo tregon që PDK, rininë e ka në fokus të parë...Një gjë tjetër që më ka bërë përshtypje në premtimet e kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, është që premtimi që shteti do të mbulojë për një periudhë të caktuar kohore 80 për qind të pagës të atyre njerëzve që humbin punë, dhe kjo është e mirë. Kjo e stabilizon disi atë problem. Në momentin që dikush e humb vendin e punës, nuk ka nevojë të shqyrtojë emigracionin menjëherë por ka edhe disa muaj tjerë që shteti mbulon koston e tij, dhe pastaj që jep mundësi ta shqyrtojë edhe punë tjera të mira që mund t’i ofrojë vendi, qoftë sektori privat apo publik”, shprehet Prelvukaj.
Prelvukaj thotë se me PDK-në në pushtet do të ketë zhvillim të vendit.
“Jam banor i Prishtinës, i lindur dhe rritur këtu. Një pjesë të madhe të problemeve i dimë...I njoh sfidat e Prishtinës dhe nëse duhet do të jem aty si përfaqësues i degës së Prishtinës. Normalisht nuk mund të jem i heshtur përballë disa nevojave që mund t’i ketë qytetari i Prishtinës. Mirëpo një pjesë e madhe e problemeve te kryeqytetit është çështja për kompetencë komunale. Derisa në Kuvend të Kosovës diskutohen disa çështje madhore, por unë premtoj se përballë Prishtinës, por edhe secilit qytet tjetër do të jem fleksibil, do të pranoj ankesat, rekomandimet, dhe do t’i kaloj në diskutim në Parlament të Kosovës kurdo që është e nevojshme”, përfundon Prelvukaj.