Çitaku: Jemi në një moment kritik për vendin, PDK e përgatitur për të udhëhequr

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku tha të martën se Kosova ndodhet në një moment kritik, por sipas saj PDK është e mobilizuar dhe e përgatitur “për të udhëhequr vendin drejt një të ardhme më të mirë”.

Pak ditë para se të fillojë zyrtarisht fushata zgjedhore, ajo tha se mbi 1 mijë e 700 tubime në të gjithë vendin pritet t’i realizojë Partia Demokratike e Kosovës.

Në një konferencë për media, Çitaku derisa ka prezantuar planet për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, është shprehur se kjo parti “ka kandidatin më të mirë për kryeministër, e po ashtu edhe listën më të mirë të deputetëve”.

“Jemi në një moment kritik për Kosovën, por PDK është e mobilizuar, e përgatitur dhe plot energji për të udhehqur vendin tonë drejt një të ardhme më të mirë. Kandidatët tanë dhe strukturat tona në terren kanë punuar gjatë për t’u siguruar se çdo qytetar do të përfaqësohet denjësisht. Nga sot deri në përfundim të  fushatës PDK ka planifikuar mbi 1 mijë e 700 tubime pa llogaritur këto takimet individuale të kandidatëve për deputetë. Me datën 11 janar në ora 16:30 në sallën 1 tetori në Prishtinë do të hapim zyrtarisht fushatën zgjedhore. Besojmë fuqishëm se kemi kandidatët më të mirë për kryeministër, listën më të mirë dhe programin më të mirë për qytetarët,” tha ajo.


Ajo po ashtu bëri të ditur se e kanë caktuar Blerand Stavilevcin si zëdhënës së fushatës.

E ai tha se “çdo hap i kësaj fushate të jetë transparent”.

“Do të sigurojmë që çdo hap i kësaj fushate të jetë transparent. PDK është e angazhuar për një marrëdhënie të hapur dhe bashkëpunuese me mediat çdo ditë e çdo moment sa herë kërkohet. Vlerësojmë rolin kritik që gazetarët luajnë në demokracinë tonë dhe premtojmë të ju ofrojmë qasje të plotë…PDK është gati të udhëheq me një program që adreson nevojat reale të qytetarëve tanë”, tha ai.

Fushata për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të fillojë më 11 janar, ndërkaq, zgjedhjet mbahen më 9 shkurt.

Lexo edhe

Video