Inaugurohet nënstacioni energjisë elektrike Ferizaj 3, Rizvanolli: Do të ketë furnizim të rregullt me rrymë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
16 orë më parë
Linku u kopjua
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) sot ka inauguruar nënstacionin në Ferizaj dhe ky projekt që kap vlerën afro tetë milionë euro ka për qëllim që të zgjidh problemet e furnizimit me energji elektrike për banorët dhe bizneset e kësaj zone.
E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka theksuar se ky investim gjithashtu ndikon edhe reduktimin e humbjeve teknike prej 5 mijë megavat orë energji elektrike në rrjet.
“Me energjezimin e këtij nënstacioni sot po zgjidhen problemet e furnizimit me energji për banorët dhe bizneset e kësaj zone, dhe po mundësohet lehtësimi i ngarkesës për vendbanimet që furnizohen nga linjat e ndërlidhura në komunën e Kaçanikut, Shtërpcës, përfshirë qendrën e skijimit të Brezovices dhe do të ketë ndikim pozitiv edhe tek një pjesë e konsumatorëve në Komunën e Shtimes. Ky investim gjithashtu ndikon edhe reduktimin e humbjeve teknike prej 5 mijë megavat orë në rrjet. Ky investim e rrit stabilitetin me furnizim me energji elektrike dhe eliminon ndërprerjet që kanë ndodhur, duke përmirësuar kështu kushtet e jetesës, mirëpo edhe duke mundësuar zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik dhe social të qytetit dhe të Komunës së Ferizaj”, tha Rizvanolli.
Kryesuesi i Bordit të drejtoreve në KOSTT, Gëzim Tosuni ka thënë se efektet e këtij nënstacioni pritet që të ndjehen në ditët dhe muajt e ardhshëm në aspektin energjetik.
Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri tha se ky investim është i një teknologjie të fundit dhe do të sigurojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike.
Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, qytetarët e vendit, veçanërisht ata të zonës së Ferizajt u përballen me mungesë të energjisë elektrike.