Osmani flet për mospjesëmarrjen e saj në inaugurimin e Trumpit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Osmani-21-01-25
4 ditë më parë
Linku u kopjua

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se Kosova e ka mbështetjen e plotë nga administrata e re amerikane e udhëhequr nga Donald Trump. E para e vendit, duke folur për mungesën e saj në ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan tha se ajo ka vepruar njëjtë si shumë liderë botërorë të cilët kanë pasur ftesë, por kanë autorizuar nivel më të ulët të përfaqësimit.

Megjithatë, ajo tha se e ka pasur mundësinë që më herët të flas me presidentin e ri amerikan, në Samitin e Parisit, ku sipas saj ka zhvilluar bisedë përmbajtjesore për Kosovën.

Krahas kësaj, Osmani tha se ka mbi një vit që ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të republikanëve. Bazuar në këto, sipas saj, Kosova do të ketë mbështetjen e fuqishme edhe përgjatë administratës Trump.

Osmani sqaroi në detaje pse nuk ka qenë në ceremoninë e djeshme të inaugurimit të presidentit Trump.

Ajo shtoi se një delegacion nga zyra e saj, kryesuar edhe nga ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli e përfaqësuan Kosovën në betimin e presidentit amerikan.

“Në këtë ceremoni kam qenë e ftuar nga anëtarë të Kongresit dhe anëtarë të Senatit. Meqenëse shumica dërrmuese e shteteve, sa i përket liderëve shtetërorë po flas, janë përfaqësuar nga ambasadorët. Të njëjtin model protokollar e kemi zbatuar edhe ne. Unë kam dërguar një delegacion presidencial të udhëhequr nga shefja e stafit dhe këshilltarja për politikë ta jashtme të cilat shoqëruar nga ambasadori Ilir Dugolli kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitetet inauguruese. Shumë prej të cilave akoma po vazhdojnë, përfshirë takimet e ekipit që unë kam deleguar. Sapo të përfundojnë takimet e tyre dhe vizitat e tyre ne do të lëshojmë një komunikatë ku do të informojmë publikun për të gjitha këto takime”, deklaroi Osmani.

Në anën tjetër, Osmani u pyet edhe për deklarimet politike gjatë fushatës zgjedhore, mirëpo nuk pranoi të komentojë.

Këto komente, Osmani i bëri pas ceremonisë përkujtimore në 19-vjetorin e vdekjes të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Donald Trump ka marrë detyrën zyrtarisht si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të hënën, më 20 janar.

https://kosovapress.com/mungesa-e-krereve-institucionale-ne-inaugurimin-e-trumpit-po-konsiderohet-shqetesuese

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025