Minat e zhdukura antitank kapen në Ikea, shkarkohet gjenerali polak
Ministri polak i Mbrojtjes ka shkarkuar gjeneralin e lartë përgjegjës për humbjen e minave antitank që u gjetën përfundimisht në një magazinë Ikea, raporton gazeta polake Onet.
"Dëshirojmë t'ju informojmë se më 9 janar 2025, me vendim të ministrit të Mbrojtjes, kreu i Inspektoratit Mbështetës, gjeneralmajor Artur Kępczyński, u lirua nga detyra", njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Polonisë në platformën X.
Deklarata zyrtare nuk thotë arsyet e shkarkimit, por mediat lokale e lidhin atë me zhdukjen e minave antitank në qershor 2024, të cilat Kępczyński dyshohet se ua fshehu eprorëve të tij. Kępczyński kishte për detyrë edhe menaxhimin e sistemit të mbështetjes logjistike.
Sipas raportimeve, ushtarët nuk arritën të shkarkonin një pjesë të trenit, i cili mbante mbi 1 mijë ton eksploziv dhe minat antitank vazhduan të qarkullonin në tokë përpara se të zhdukeshin. Dokumentet zyrtare përmbajnë të dhëna të rreme për numrin e minave, raportojnë mediat.
Zyrtarët me sa duket u ndërgjegjësuan për problemin kur u gjetën mina në një magazinë të Ikea dhe më pas dikush thirri ushtrinë për t'i pyetur "kur do të merrnin minat". Hetimi për rastin është hapur vitin e kaluar dhe është duke vazhduar, njoftoi sot prokuroria.