Studentët në Serbi u distancuan nga organizatat ekstremiste, që u shfaqën në një protestë para Gjykatës Kushtetuese në Beograd, në fund të javës së kaluar.
Në protestën e organizuar nga studentët, më 12 janar, u vunë re simbolet e disa organizatave të ekstremit të djathtë, si dhe flamuj të shumtë me hartën e Kosovës dhe me mesazhin “Nuk ka dorëzim”.
Në protestë u vu re edhe një përfaqësues i ekstremit të djathtë “Klub 451”.
Pamjet e publikuara tregojnë se ata që mbanin flamujt me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”, si dhe një pankartë me mbishkrimin “451”, fillimisht u mblodhën para Fakultetit Juridik të Beogradit dhe, më pas, me një kolonë studentësh u drejtuan drejt Gjykatës Kushtetuese.Në protestën e studentëve të mbajtur para Gjykatës Kushtetuese në Beograd u pa edhe një pankartë ku shkruhej “Rinia, Liria, Atdheu”, e nënshkruar nga shoqata e ekstremit të djathtë “Klub 451”.
Në radhët e para të studentëve të mbledhur, Radio Evropa e Lirë identifikoi Zhelko Gërbiqin, anëtar i kësaj lëvizjeje ultra të djathtë.
Më 13 janar, “Klub 451” postoi një video nga protesta në llogaritë e tij në rrjetet sociale. Në video dukeshin pankartat e diskutueshme, por jo edhe fytyrat e atyre që i mbanin ato.
Shoqata “Klub 451” u regjistrua më 9 gusht të vitit 2021 dhe përfaqësues i saj ligjor është Marko Gajinoviq.
Në statutin e saj, mes tjerash, thuhet se qëllimi i saj është ruajtja e kulturës dhe traditës serbe dhe evropiane, si dhe promovimi i tyre.
Nga 1.400 postimet e tij mund të konstatohet se ai kundërshton pavarësinë e Kosovës, mbështet shkëputjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës, kundërshton integrimin e refugjatëve dhe publikon mesazhe urrejtjeje ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT.
Nga postimet e datës 10 janar në Telegram mund të shihet se grupi ka formuar edhe degë shtesë: “Rinia 451 Beograd” dhe “Rinia 451 Banja Lluka”.
Ai punon ngushtë edhe me disa organizata militante neo-naziste nga Evropa - “Casa Pound” në Itali, “Clermont Non Conforme” në Francë “Legio Hungaria” në Hungari.
“Klubi 451” nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për komente në këtë temë.Siç mund të shihet në pamjet e publikuara, në protestën e studentëve para Gjykatës Kushtetuese në Beograd morën pjesë edhe përfaqësues të rinisë së Partisë së Re Demokratike të Serbisë.
Në videot në dispozicion, REL-i identifikoi Vuk Marinoviqin, kryetari i rinisë së Novi DSS-së, Urosh Tomasheviqin, anëtar i Bordit ekzekutiv të rinisë së Novi DSS-së, dhe Nikolla Illiqin, i cili, sipas të dhënave në rrjetet sociale, është gjithashtu anëtar i rinisë së Novi DSS-së dhe student në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.
“Disa studentë tanë të rinj i mbanin ata flamuj, të udhëhequr nga ideja se nuk ka asgjë më të natyrshme se të dalim para Gjykatës Kushtetuese me sloganet ‘Kosova është Serbi’ dhe ‘Nuk ka dorëzim’, sepse kështu e përcakton Kushtetuta, për respektimin e së cilës ne angazhohemi, ndërsa regjimi e shkel paturpësisht”, thotë Marinoviq.
Studentët që bllokojnë fakultetet në Serbi, njoftuan më 13 janar se “distancohen nga organizatat ekstremiste dhe simbolet e tyre”, e në asnjë mënyrë nga simbolet kombëtare, fetare dhe të garantuara me Kushtetutën e popullit serb.
Në një postim në rrjetin X, ata thanë se pas “polemikës” që shkaktoi deklarata e tyre e mëparshme për distancim nga organizatat ekstremiste, në një protestë para Gjykatës Kushtetuese në Beograd, “ndihen të detyruar ta sqarojnë atë deklaratë”.
“Prania e flamujve dhe pankartave të tyre në vijën e parë të protestave nuk është në përputhje me vlerat dhe synimet tona”, thuhet në deklaratë.
Aty theksohet, po ashtu, se bllokadat nuk kanë agjendë ideologjike dhe se studentët nuk mbështesin asnjë formë separatizmi apo polarizimi në shoqëri.
Ai tha se i dënon “përpjekjet e organizatave naziste për t’i infiltruar protestat e studentëve”.
Që nga fillimi i bllokadave, ata insistuan që të valëviten vetëm flamujt kombëtarë të Serbisë dhe emblemat e fakulteteve.
Në Serbi, më shumë se 60 fakultete në katër universitete shtetërore, disa rektorate dhe dhjetëra shkolla të mesme janë bllokuar prej javësh.
Përfaqësuesit e Qeverisë thonë se janë plotësuar të gjitha kërkesat dhe u bëjnë thirrje studentëve që t’i hapin fakultetet.