Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim zëvendës sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Menaxhimin dhe Resurset, Richard Verma, me të cilin ka diskutuar mbi avancimin e raporteve ndërshtetërore dhe procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
I pari i qeverisë vuri theksin te shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Marrëveshjes bazike, që vijnë si rezultat edhe i mos nënshkrimit të saj dhe aneksit të zbatimit, si dhe mosdorëzimin e terroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij përgjegjës për sulmin terrorist në Banjska.
Në takim u diskutua edhe mbi veprimet e shpejta të ndërmarra nga Kosova për strehimin e refugjatëve afganë dhe rreshtimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në dënimin dhe sanksionimin e agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.
Kurti ka folur edhe mbi zhvillimin dhe progresin e Kosovës në katër vjetët e fundit, orientimin strategjik për anëtarësim në NATO dhe BE.Kujtojmë, gjatë ditës zëvendës sekretari i Shtetit amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard Verma është pritur në takim edhe nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.