Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mustaf Abazi ka uruar kongresmenin Keith Self për emërimin në krye të Nënkomitetit për Evropën në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së.
Abazi ka shkruar me këtë rast se beson në përkushtimin dhe vizionin e kongresmenit Self, për ndërtimin e urave të bashkëpunimit. “Me kënaqësi i shprehim urimet më të sinqerta mikut tonë, kongresmenit Keith Self, për emërimin e tij si Kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së. Në një kohë kur Evropa dhe komuniteti global po përballen me sfida të mëdha, ne besojmë plotësisht në përkushtimin dhe vizionin e tij të jashtëzakonshëm për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërkombëtar.”
“Keith Self është një mik i çmuar i të gjithë atyre që punojnë për paqen dhe stabilitetin global”, ka shtuar ai.