KQZ miraton fletëvotimet për zgjedhjet e 9 shkurtit, dështon ndarja e mjeteve për subjekte
Lajme
Lexohet për: 2 min.
kqz---FOTO---08-01-2025
15 orë më parë
Linku u kopjua

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar të mërkurën dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

Kundër, kësaj pike të rendit të ditës ishin anëtarët e KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, me arsyetimin se në këto fletëvotime është e përfshirë edhe Lista Serbe.

“E kam parë këtë fletëvotim dhe unë deklaroj hapur, e votoj këtë fletëvotim por pa subjektin Lista Serbe”, tha Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Por në këtë mbledhje, nuk ka kaluar rekomandimi për ndarjen e mjeteve nga Fondi për mbështetje për subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Shkak për këtë ishte përfshirja e Listës Serbe në 14 subjektet politike përfituese të këtij fondi.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se Zyra i rekomandon KQZ-së që të bëjë ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike për vetëm dy muaj - janar dhe shkurt “për shkak se pas konstituimit të Kuvendit që mund të ndodh në muajin mars, mund të ndryshojë përfaqësimi dhe gjithashtu numri i deputetëve”.

Pas kësaj, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi tha se është kundër ndarjes së mjeteve për Listën Serbe.

“Unë jam kundër ndarjes së mjeteve për Listës Serbe, argumentet i kam dhënë, dëshmitë i kam ofruar, nuk ka ndryshuar asgjë në trashëgiminë dhe në të tashmen e këtij subjekti politik, prandaj unë jam kundër dhe vota ime është kundër ndarjes së mjeteve për Listën Serbe”, tha Kurteshi.

Numri i përgjithshëm i votuesve për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, është mbi 2 milionë e 75 mijë.

Ndërkaq, numri i personave që janë regjistruar për votim jashtë Kosovës është rreth 105 mijë votues.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025