Sulmet terroriste në Kosovë, Sekuloviq: Serbia synon të destabilizojë vendin
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Sulmet terroriste në Kosovë, Sekuloviq: Serbia synon të destabilizojë vendin
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Aleksandar Sekuloviq nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ka akuzuar Serbinë për shkaktimin e incidenteve në Kosovë, me qëllim të destabilizimit të vendit.

Nënkryetari i Aleancës së antifashistëve të Serbisë, në një intervistë për The Geopost, thotë se reagimi i Beogradit zyrtar dhe retorika e tij politike mbi incidentet në Kosovë janë tepër banale sa pothuajse çdo fjalë mund të parashikohet paraprakisht.

“Interesi jetik i asaj politike të çoroditur dhe të paarsyeshme të Serbisë është të tregojë se Kosova politikisht dhe kulturalisht është “minore”, e paaftë për jetë të pavarur, që do të thotë se duhet të kthehet nën kujdesin e Serbisë”, tha Sekuloviq.

Sekuloviq thekson se periudha në vazhdim mund të sjellë përshkallëzim të tensioneve dhe konflikteve, duke pasur parasysh qëndrimin e klero-nacionalizmit serb si dhe pritjet e Serbisë se “administrata e presidentit amerikan Donald Trump do ta mbështesë këtë politikë ‘muskujsh’”.

“Situata po rëndohet qëllimisht sepse ky është përcaktim strategjik i sipërmarrësve të “botës serbe”, pra klero-nacionalizmit serb. Kjo mund të shihet në të gjithë rajonin, jo vetëm në Kosovë. Nga entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë, shpallin paralizën e plotë të institucioneve të Bosnje-Hercegovinës, si prelud të shkëputjes; në Mal të Zi egërson klero-nacionalizmi serb, arreston dhe mban të pafajshëm nëpër burgje për vite me radhë dhe tani paralajmëron një performancë edhe më intensive me këngën “Bëhuni gati, bëhuni gati çetnikë…” Prandaj, nëse merret parasysh pamja e përgjithshme e klero-nacionalizmit serb, si dhe pritshmëria e autoriteteve serbe që administrata Trump do të mbështesë këtë politikë “muskujsh”, atëherë mendoj se periudha në vijim do të sjellë përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve dhe konflikteve”, tha Sekuloviq.

Ai ka komentuar protestat masive të studentëve në Serbi për të cilat ka thënë se janë pasojë e “mbingopjes së shoqërisë, jo vetëm të studentëve, me figurën prej faraoni të Aleksandar Vuçiq dhe leksionet e tij arrogante në televizion.”

“Nga ky këndvështrim, protestat do të duhej t’i drejtoheshin vetë karakterit të qeverisë, arrogancës dhe arbitraritetit të saj, bindjes së saj të hekurt se mund të bëjë gjithçka që i shkon në mendje. Një linjë tjetër veprimi duhet të jetë kritika ndaj politikës së Serbisë ndaj fqinjëve të saj, kritika ndaj mentalitetit të “gjendjes së rrethimit” dhe krijimi artificial i frikës ndaj njerëzve me të cilët jetojmë. Bëhet fjalë thjesht për një distancim të qartë nga klero-nacionalizmi serb. Besoj se një qasje e tillë do të prodhonte personalitete që mund të kryejnë me sukses poste drejtuese në shtet”, ka thënë Sekuloviq.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025