Inxhinieri serb: Do të dëshmoj se organizata kriminale në krye të shtetit është fajtore për vdekjen e 15 personave
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
unnamed
2 javë më parë
Linku u kopjua

Inxhinieri serb, Zoran Gjajiq ka konfirmuar sot se është ftuar nga Gjykata Themelore në Novi Sad si dëshmitar në lidhje me rënien e një çatie betoni së stacionit hekurudhor para disa ditësh në Novi Sad, e cila la të vdekur 15 persona dhe dy të plagosur rëndë.

Gjajiq, i cili punoi si konsulent për Institutin CIP për rindërtimin e ndërtesës së Stacionit Hekurudhor deri në mars 2023, ishte i pari që paralajmëroi për cilësinë e dobët të punës së kryer, si dhe i pari që mohoi pretendimet e autoriteteve se çatia e betonit nuk ishte menduar për rindërtim, shkruan beta.rs.

“Vrasja e 15 personave është kryer në organizimin e shtetit të Serbisë, do të paraqitem në gjykatë për të shprehur mendimin tim si dëshmitar, në bazë të njohurive që kam, si pjesëmarrës në punimet gjatë rindërtimit të stacionit hekurudhor. Ndërtesa, rënia e çatise së betonit dhe vrasja e 15 qytetarëve është faji i një krimineli të korruptuar, një organizatë që nis nga maja e shtetit, me në krye Aleksandar Vuçiqin dhe bashkëpunëtorët Millosh Vuçeviq, Tomislav Momiroviq, Goran Vesiq, Maja Gojkoviq dhe shumë të tjerëve që kanë marrë pjesë në një bashkim kriminal me qëllim të përfitimit material në kurriz të punëve joprofesionale dhe jocilësore në stacionin hekurudhor”, tha Gjajiq derisa shtoi se shpreson që pjesëmarrësit në shoqatën kriminale do të ndëshkohen në mënyrë adekuate.

Lidhur me rënien e çatisë së betonit ka folur edhe Miodrag Jovanoviq, profesor universitar në Beograd, i cili ka thënë se ajo që duhet të mbetet në epiqendër të vëmendjes është fakti se presidenti Aleksandër Vuciq ka gënjyer popullin.

“Ajo në të cilën duhet fokusuar është se njeriu i parë i këtij vendi, presidenti Aleksandar Vuçiq, ka gënjyer se çatia e betonit nuk është rikonstruktuar dhe ja ku filloi gjithçka – kjo nuk duhet harruar”, ka thënë ai për N1.

Në Serbi më shumë se 30 fakultete shtetërore kanë hyrë zyrtarisht në bllokada për shkak të aksidentit të ndodhur në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Studentët e mbledhur kërkojnë që të publikohet dokumentacioni i plotë për rikonstruksionin e këtij stacioni.

Stacioni i trenit në Novi Sad, i ndërtuar fillimisht në vitin 1964, është rinovuar dy herë në vitet e fundit dhe është inauguruar nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe aleati i tij populist, kryeministri hungarez Viktor Orban, më shumë se dy vjet më parë si një ndalesë kryesore për një linjë treni të shpejtë të planifikuar midis Beogradit dhe Budapestit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024