Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim i fortë tregtar apo marrëdhënie simbolike?
Tema
Lexohet për: 4 min.
Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim i fortë tregtar apo marrëdhënie simbolike?
Foto Ilustruese
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë përkundër trendeve inkurajuese, konsiderohet se ende nuk ka marrëdhënie ekonomike të kënaqshme mes këtyre dy vendeve. Me gjithë vullnetin dhe gatishmërinë afaristëve për një bashkëpunim më të fortë në ekonomi, marrëdhëniet në mes këtyre dy shteteve mbeten simbolike apo karakterizohen vetëm nga shkëmbimet tregtare import – eksport, vlerësojnë ekspertë të ekonomisë në Shqipëri dhe Kosovë, raporton KosovaPress.

Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, kanë pasur një rritje prej 15 për qind gjatë këtij viti. Krahas bashkëpunimit tregtar, numri i bizneseve të Shqipërisë që operojnë në Kosovë është mbi 2 mijë sosh, ndërsa numri i të punësuarve është mbi 7 mijë shtetasve nga Shqipëria. Autoritetet në Shqipëri nuk janë përgjigjur për KosovaPress, për numrin e bizneseve të Kosovës që operojnë atje.

Derisa Shqipëria feston 112-vjetorin e Pavarësisë, ekspertja e ekonomisë në shtetin shqiptar, Teuta Nunaj, statistikat tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë i quan të ndjeshme. Teksa shton se bashkëpunimi i fortë ekonomik në këto dy vende arrihet vetëm përmes zbatimit të marrëveshjeve të arritura ndër vite nga qeveritë shqiptare për heqjen e barrierave për bizneset.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se ka një bashkëpunim të bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë, mirëpo kritikon të dyja qeveritë shqiptare për mungesë të takimeve zyrtare.

Sipas tij, raportet politike mes këtyre dy vendeve do të ndikonin pozitivisht në aspektin ekonomik.

Ndërsa, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thonë se numri total i bizneseve të Shqipërisë që operojnë në Kosovë është 2 mijë e 197, derisa janë 7mijë e 6 punëtorë nga Shqipëria në tregun e punës në Kosovë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku  i investimeve nga Kosova ka arritur në 277 milionë euro, në rritje vjetore me 46% më 2023.

Ndërsa, sifrat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) tregojnë se deri në fund të vitit 2023, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë kishte vlerën e 371 milionë eurove.

Ndërkaq, për raportet tregtare mes të dyja vendeve ka folur drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu. Ai thotë se ka pasur një rritje të shkëmbimit tregtar me këtë shtet shqiptar për rreth 15 për qind.

Po ashtu nga Dogana e Kosovës kanë bërë të ditur se në tri vitet e fundit janë rritur këmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. Vetëm në vitin 2022 Kosova ka eksportuar për në Shqipëri 110.6 milionë euro, vlerë kjo e cila ka shënuar rritje edhe në vitin 2023, në 112.7 milionë euro, derisa përgjatë këtij viti kjo vlerë ka shkuar në 149.3 milionë euro, eksporte të mallrave nga bizneset e Kosovës.

Në anën tjetër edhe vlera e importit nga ky shtet fqinjë është rritur për periudhën trevjeçare. Përgjatë vitit 2022, Kosova ka importuar nga ky shtet mbi 255 milionë euro, derisa kjo vlerë ka shënuar rritje edhe në vitin 2023, në të cilën ka arritur mbi 326 milionë euro, ndonëse deri më tani përgjatë këtij viti, kjo vlerë është mbi 299 milionë euro.

Autostrada Prishtinë - Durrës,  që lidh Kosovën me Shqipërinë, e quajtur “Ibrahim Rugova”, ka lehtësuar qarkullimin e mallrave nga të dyja anët.

https://kosovapress.com/drejtori-i-doganes-tregon-per-kembimet-tregtare-te-kosoves-me-shqiperine-dhe-serbine

https://kosovapress.com/bashkepunimi-ekonomik-kosove-maqedoni-e-veriut-keto-jane-sfidat-dhe-kembimet-tregtare

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024