Skepticizëm për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës
Tema
Lexohet për: 3 min.
Kosova BE
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës vështirë se do të hiqen gjatë këtij viti. Në shtetin e Francës, ndër vendet kryesore të bllokut evropian, thonë se diskutimet për këtë çështje brenda unionit janë duke vazhduar, por vënë në pah vështirësitë për një lëvizje pozitive në këtë drejtim. Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot thekson për KosovaPress, se janë pro heqjes graduale të masave, mirëpo, sipas tij, “veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit nuk po e bëjnë të lehtë përparimin”.

Në anën tjetër, partitë opozitare në Kosovë dhe njohësit e integrimeve evropiane nuk presin që Bashkimi Evropian t’ia heq masat Kosovës tani për tani. KosovaPress ka pyetur edhe Qeverinë e Kosovës nëse po punojnë me vendet anëtare të BE-së, për heqjen e masave, si dhe nëse ka ndonjë kusht shtesë për largimin e tyre, mirëpo zyrtarë të Qeverisë nuk kthyen ndonjë përgjigje.

Ambasadori francez në Kosovë, Guerot, thotë se po shohin brenda unionin evropian se kur do të jetë e mundur heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Masat u vendosën në 23 qershor pas një lëvizjeje të Qeverisë së Kosovës që çoi në një situatë shumë të tensionuar, në trazira. Ka pasur diskutime më pas dhe diskutimet kanë rifilluar gjatë vitit 2024. Ne kemi qenë për një heqje graduale të masave, por disa veprime të njëanshme nuk e bëjnë të lehtë përparimin në atë drejtim. Diskutimet do të vazhdojnë, janë duke vazhduar dhe do të shohim se kur do të jetë e mundur heqja e tyre. Jemi pro heqjes graduale të masave”, thekson ai.

Skeptike për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës është edhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.

Megjithatë, ajo thekson se të njëjtat janë të padrejta dhe se Kosova nuk meriton të ndëshkohet për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të kryeministrit Albin Kurti.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, thotë për KosovaPress, se heqja e masave do të ndodh vetëm me ndërrimin e Qeverisë në Kosovë.

Kurse, njohësi i zhvillimeve evropiane, Blerim Canaj, thotë për KosovaPress, se heqja e masave do të varet nga veprimet e Qeverisë së Kosovës.

Se nuk ka vendimmarrje në BE për çështjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës e tha me 15 nëntor edhe zëdhënësi i unionit, Peter Stano.

Në anën tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lyen, gjatë vizitës së saj në Kosovë në fund të muajit tetor, tha se duhet punë e mëtejshme e Kosovës për heqjen e masave ndëshkuese.

BE i vendosi masat ndaj Kosovës në qershor të vitit të kaluar pas tensioneve në veri të vendit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024