“Diskriminuese”, ilaçi i imunoterapisë nuk jepet falas për të gjithë
Tema
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua
Disa pacientë të prekur me lloje të ndryshme të kancerit detyrohen ta sigurojnë vet ilaçin e imunoterapisë Keytruda - Pembrolizumab. Ky medikament, i cili është pjesë e listës së barnave esenciale, në Kosovë jepet falas vetëm për pacientët e prekur me kancer të mushkërive dhe lëkurës.
Kjo ishte përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) me përditësimin e listës së barnave esenciale, në vitin 2023.
Këtë vendim, ministria e arsyeton duke thënë se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Pembrolizumabin e ka vlerësuar me efikasitet vetëm për një lloj kanceri.
Por, nga kjo ministri gjithashtu, thonë se edhe mundësitë buxhetore e kufizojnë dhënien falas - për çdo lloj të kancerit - të këtij medikamenti.
Edhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi pranon se nga revidimi i fundit i bërë për listën e barnave esenciale është vendosur që Pembrolizumab të jepet vetëm për pacientët që janë të diagnostikuar me kancer të mushkërive dhe lëkurës.
Kurtishi thotë se pacientët e tjerë të prekur nga lloje të tjera të kancerit të cilëve u përshkruhet ky ilaç nga specialistët onkologjikë, duhet ta sigurojnë këtë bari.
Ky dallim po konsiderohet diskriminim dhe shkelje e të drejtave të njeriut.
Valentina Demolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë për KosovaPress se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë marrin trajtime sipas nevojave të tyre.
Edhe anëtari i Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Bekim Haxhiu i konsideron diskriminuese këto dallime.
Në Kosovë, aplikimi i imunoterapisë kundër kancerit ka nisur në vitin 2021. Bëhet fjalë për një trajtim të sëmundjes përmes substancave që stimulojnë përgjigjen imune.
Sipas Klinikës së Onkologjisë vetëm këtë vit në Kosovë janë identifikuar mbi 1 mijë raste të reja me kancer./B.Ibishi