Kosova ka mësuar kundërshtarët e saj në shortin e hedhur në Bruksel për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku në grup do të përballet me Izraelin, Austrinë dhe Republikën e Irlandës.
Ndeshjet e këtij kompeticioni do të nisin nga muaji shtator i këtij viti, ndërsa “Dardanët” synojnë të vazhdojnë ngritjen e tyre dhe të synojnë kalimin në një nivel edhe më të lartë.
“Gjithçka është e mundur në këtë grup, por unë e bazoj optimizmin në ngritjen e ekipit tonë, i cili ka bërë një rritje shumë të madhe dhe ka kaluar në një nivel tjetër. Uroj që ‘Gladiatorët Dardanë’ të jenë në formën e tyre më të mirë, të mos kemi lëndime dhe lojtarët të kenë minuta të mjaftueshme në ekipet ku luajnë. Në ndeshjet e këtij grupi duhet ta konsiderojmë secilën si eliminatore, që do të thotë të japim maksimumin. Besoj se nuk është e pamundur të kalojmë në Ligën A.”, theksoi Ademi.
Sa i përket rivalëve, Austria konsiderohet si një nga përfaqësueset më të forta të grupit, ndërsa edhe Republika e Irlandës mbetet një kundërshtar serioz.
Kosova do të synojë që në këtë edicion të tregojë stabilitet dhe pjekuri në lojë, duke e trajtuar secilën ndeshje si vendimtare, me synimin final për të realizuar objektivin e madh, ngjitjen në Ligën A. /KosovaPress/