Podujeva është bërë qyteti i parë me shtatore të veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili u cilësua si hero i mendimit të lirë.
Shtatorja u përurua në shesin e qytetit, ku përveç një numri të madh të qytetarëve, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës e Shqipërisë.
Sipas Kurtit, ata që jetojnë me të vërtet nuk janë të shpeshtë dhe kanë një virtyt të pashoq, shprehja e tyre është e barabartë me jetën e tyre, Adem Demaçi na mëson një direktivë të lartë për të gjithë “Kur diktatura nuk e kërcënon lirinë, atëherë duhet dyshuar te liria”.
Kryetari i Komunës të Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se Llapi nuk është thjesht vendlindja e bacës Adem por edhe vendi dhe familja e tij e madhe, ku ai u brumos me frymën atdhetare.
Manifestimi vazhdoi me program kulturor. Përndryshe, skulptori i shtatores të Demaçit ishte Agron Blakqori.