Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka kërkuar reflektim nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për caktimin e një vit e gjysmë burgim për deputetin Egzon Azemi dhe zëdhënësin e Qeverisë, Arlind Manxhukën.
Abrashi në seancën e Kuvendit, kishte disa pyetje për sistemin e drejtësisë se çfarë mesazhi po jep sistemi i drejtësisë për popullin.
“Një vit e gjysmë burg për deputetin Egzon Azemi pse ka reaguar kundër lirimit të terroristit Dejan Pantiq, e për Arlind Manxhukën pse ka shkruar një status në Facebook për vendimin e papranueshëm të Gjykatës dhe kërkesën e prokurorit. Gjashtë muaj burg për komentues në Facebook e gjashtë muaj burg për një aksion simbolik. Çfarë mesazhi po jep sistemi i drejtësisë, se fjala është më e rrezikshme se bomba? Se një status në rrjete sociale trajtohet më ashpër se një sulm ndaj institucioneve zgjedhore dhe zyrtarëve të Kosovës? Se ata janë më të rrezikshëm se terroristët e Serbisë? Se standardi i drejtësisë ndryshon nga standardi e konteksti politik? Kjo është çështje e besimit në drejtësi, kur qytetari sheh që pesha e ligjit nuk është e barabartë ai nuk e sheh më drejtësinë si garanci por si instrument”, tha Abrashi.