Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit kërkon konsensus të gjerë politik dhe jo garë formale pa votat e nevojshme.
Kreu i LDK-së ka bërë të ditur se partia që ai drejton nuk ka qëndrime refuzuese ndaj askujt, e veçanërisht ndaj presidentes aktuale Vjosa Osmani. Ai ka shtuar se kur nevojiten 81 vota, gara pa marrëveshje paraprake është procedurë e destinuar për dështim.
Ai ka nënvizuar se presidenti duhet të jetë figurë konsensuale dhe kundërbalancë e qeverisë e jo zgjatim i saj, sidomos në kushtet kur qeveria ka 51 për qind të votave.
“Kur ka garë e s’ka konsensus, është vështirë të bëhen 80 vota. Gara ka kuptim kur janë 61 vota në dispozicion, por kur duhen 81, duhet konsensus dhe unitet dhe kjo nuk është arritur. Për garë, është procedurë e parapërcaktuar për të dështuar, por nëse vendosin LVV dhe PDK të ketë garë, shkojmë në zgjedhje sepse nuk e dimë se si i bëjnë 81 vota. Konsensusi bën president. LDK ka qenë e angazhuar të gjejë president, një emër konsensual, jo zgjatim të qeverisjes. Pra të gjejë një emër konsensual, jo zgjatim të qeverisë, pra të mos jetë vazhdimësi e qeverisë sidomos për një qeveri që ka 51% të votave, presidenti do të duhej të ishte një kundërbalancë. Nuk ka emër, nuk ka proces konsultativ tutje sa po kuptoj dhe tani duhet të presim dy-tri ditët e ardhshme për të kuptuar”, tha ai.“Herën e kaluar e kemi pas si alternativë. Më pas ka qenë marrëveshja politike dhe konsensusi. Në parim kryetari i LVV-së, ka kërkuar 85 vota, pra nuk pas parakushte e as diskutime për marrëveshje politike. Le ta provojnë garën, por LDK-ja sugjeron që ta provojnë konsensusin para garës. Ne nuk kemi thënë asnjëherë që kemi apo nuk kemi votë për Vjosa Osmani. Natyrisht që jam takuar, si s’jam takuar...LDK gjithmonë ka qenë e përgjegjshme ndaj institucioneve por imponimet nuk janë zgjidhja adekuate...Në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj zonjës Osmani...Nuk është prezent një emër i tillë ”, ka thënë ai.
Ai ka bërë të ditur se, me autorizimet e marra nga Kuvendi i LDK-së, do t’i kthehet grupit parlamentar për t’i njoftuar deputetët mbi zhvillimet e fundit dhe takimet me tri partitë politike në vend.
Kreu i LDK-së u pyet nëse takimet do të vazhdojnë, por sipas qëndrimit të tij, zor të ndodhë një gjë e tillë.