Pas njoftimit të kryeministrit Albin Kurti për rritjen e pagave për sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar me një premtim të tij për ndryshime më të thella.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka premtuar se koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro që në javën e parë të qeverisjes së tij.
Në grafikon thuhet se pagat për mësuesit do të rritet në 840 euro, për infermier 825 euro, për policë 750 euro, për ushtarë 840 euro, për zjarrfikës 750 euro dhe për mjek të përgjithshëm 1110 euro.
Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka vendosur sot se që nga janari i vitit të ardhshëm të rris pagat për punonjësit e sektorit publikë për 55 euro në muaj, ndërsa nga korriku do të ketë rritje për 110 euro.Sipas prezantimit të tabelës, mësuesit aktualisht kanë 616 euro pagën bazë, ndërkaq me rritje do të marrin 726 euro.
Policët nga 550 euro do të marrin 660 euro, infermierët nga 605 do të marrin 715 euro, zjarrfikësit nga 550 euro do të marrin 660 euro dhe ushtarët nga 616 euro do të marrin 726 euro.