Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, në rend të ditës kanë qenë në votim për t’u certifikuar 17 subjekte politike dhe 674 deputetë, por u miratuam vetëm 16 parti politike.
Edhe përkundër rekomandimit të zyrës së partive politike për certifikimin e subjektit politik Lista Serbe, anëtarët e KQZ-së nuk miratuan certifikimin e këtij subjekt politik për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Ishin dy vota për, dy kundër, ndërsa, anëtarët e tjerë refuzuan të marrin pjesë në votim.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Sami Kurteshi kundërshtoi që ta votoi këtë parti, pasi që lëshoi një audio-incizim të kryetarit të listës, Zlatan Elek ku u dëgjua me thirrje kundër Republikës se Kosovës.
Edhe anëtarët e tjerë nga radhët e opozitës kanë shprehur po të njëjtin mendim.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, ka kujtuar se verifikimi i listave të kandidatëve ka kaluar në disa institucione dhe asnjë prej tyre nuk ka dhënë vërejtje.
Elshani theksoi se edhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë asnjë vërejtje për Listën Serbe.
“Ndaj të njëjtat shqetësime. Abstenoj nga votimi për këtë subjekt politik. Institucionet tona duhet me na tregu kush është Lista Serbe me dokumente e letra. Në qoftë se ata pjesëtarë janë pjesë e këtyre akteve terroriste, është mirë Ministria e Brendshme të merret”, theksoi Elshani.