Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklaratës së Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se “Kosova shtet i pavarur është projekt i përkohshëm”.
Në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se “ç’të duhen kundërshtarët e jashtëm, kur i ke të brendshmit?”.
“Ç’të duhen kundërshtarët e jashtëm, kur i ke të brendshmit? Republika e Kosovës, sot udhëhiqet nga popullistë mosbesues të saj. Fati i projektit më të madh shqiptar, ‘Kosova shtet i pavarur e sovran’ është në duar të mohuesve të vet shtetësisë. Prandaj betimi mbi Republikë është farsë. Prandaj shkelja e Kushtetutës bëhet zakonshmëri. Sepse mosbesimi ndaj Kosovës është bindje. Këta kanë atdhe të dytë. Ne kemi vetëm Kosovën”, ka shkruar ai.
Abdixhiku shtoi tha se LDK-ja si formacion i vetëm pavarësist, beson në Republikë dhe se sipas tij, Kosova është e përhershme.
Në anën tjetër, ministri Liburn Aliu ka vazhduar t’i qëndrojë mbrapa deklaratës se për të, shteti i pavarur i Kosovës është projekt i përkohshëm.
Aliu në një prononcim për Klankosova.tv tha se për të Kosova është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipërinë.