Abbott: Kërcënimet ndaj atyre që duan t'i shërbejnë vendit janë të papranueshme
Lexohet për: 2 min.
abbott
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ka dënuar kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë. Ai ka thënë se frikësimet ndaj atyre që duan t’i shërbejnë vendit janë të papranueshme.

Diplomati britanez ka thënë se është e rëndësishme që Policia e Kosovës të pasqyrojë diversitetin e vendit dhe të jetë në gjendje tu shërbejë të gjitha komuniteteve.

“Unë i ndaj plotësisht këto shqetësime. Është e rëndësishme që Policia e Kosovës të pasqyrojë diversitetin e Kosovës dhe të jetë në gjendje t'u shërbejë të gjitha komuniteteve. Frikësimet dhe kërcënimet ndaj atyre që duan t'i shërbejnë vendit të tyre janë të papranueshme”, ka shkruar Abbott në Facebook.

Edhe shefi i EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka reaguar pas raportimeve se policët e rinj serbë po kërcënohen pas marrjes së detyrës.

Ai ka thënë se çdo lloj frikësimi është i papranueshëm.

“Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapodislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës”, ka shkruar Barbano në Twitter.

KosovaPress ka raportuar se rrjete sociale serbe kanë publikuar fotografitë dhe emrat e pesë pjesëtarëve të rinj serbë që sapo kanë filluar detyrën në Policinë e Kosovës.

Publikimi është bërë nga kanali serb t.me/BunkerSrb në platformën ruse telegram.

Më tej janë publikuar emrat dhe mbiemrat e pesë serbëve.

Postimi ka vazhduar me kërcënimin, duke thënë se “kjo nuk është lista përfundimtare, dhe se të tjerat do të publikohen më vonë”.

KosovaPress nuk e ka bërë publik identitetin e serbëve në mënyrë që mos t’i kontribuojë rritjes së kërcënimit ndaj tyre.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024