Abazi: Kurti po kërkon njerëz që duan ta rrëzojnë, unë s’jam votë kundër qeverisë
Lexohet për: 5 min.
331718602_2186842461512660_7670587348042920100_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi përsëriti sot (e enjte) se është dhënë urdhër për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë. Kjo pasi siç tha ai, kryeministri Albin Kurti po e mendon atë (Abazin) si pjesë të rrëzimit të qeverisë. Ai në konferencë për media foli edhe për ekzistencën e videoincizimeve që tregojnë se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit.

Deputeti Abazi para gazetarëve tha se nuk do të bëhet pjesë e atyre që duan ta rrëzojnë qeverinë dhe se nuk dalë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje. Derisa foli edhe për mundësinë e rrëzimit të qeverisë nga opozita.

“Z. Kurti mendon që unë do të hidhërohem shumë dhe do të bëhem pjesë e atyre që duan ta rrëzojnë nga qeveria. Dy vite pas marrjes së mandatit, Z. Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga qeveria. Unë e përsëris edhe sot që nuk jam votë kundër Qeverisë Kurti dhe nuk do ta bëjë Qeverinë Kurti viktimë për t’u larguar. Tani kemi këtë kombinacion politik në Kosovë. Opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë Kurti, Grenelli nuk ekziston më. Escobar nuk është njeriu që mund të krahasohet me Grenell-in. Asnjë interes të vetëm nuk e ka askush racional që të rrëzojë Qeverinë Kurti... As unë e ansjë deputet tjetër me integritet brenga GP të LVV-së nuk është i interesuar të rrëzojë Qeverinë Kurti”, tha ai.

Abazi tha se nuk ka koicidencë dhe habi më të madhe sesa shkarkimi i tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe nga Komisioni për Stabilizim-Asociim, në kohën kur ai është përmendur nga ish-ministri i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq në Parlamentin e Serbisë për dy ditë radhazi.

Duke thënë se nuk ka demokraci të mirëfilltë brenda GP të LVV-së, Abazi tha se Dejona Mihali është “masha e kontrollit” brenda këtij grupi.

“Nga shkurti i vitit të kaluar kam depozituar kërkesën për formimin e komisionit hetimor për privatizim, është bllokuar nga Dejona Mihali. Arsyeja se pse po e përmendi me emër është sepse është dora, është masha e kontrollit të GP të LVV-së, duke mbivendosur mbi vullnetin e secilit deputet, e cila vije pa asnjë legjimitet përbrenda LVV-së. Znj. Mihali nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme për zgjedhjet brenda VV-së, por është njeriu kryesor që kontrollon dhe menaxhon me GP dhe vendimmarrjen që bëhet aty... Demokracia e Kosovës nuk mund të varet nga individë të autorizuar nga z. Kurti që ata të drejtojnë debatin dhe diskursin demokratik të vendit”, tha Abazi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se ka pritur që të ketë reflektim pas humbjes së zgjedhjeve lokale porse siç tha ai, kjo nuk ka ndodhur. Dhe, sipas tij, kjo është bërë nga “Çadra e Gadafit”, duke aluduar në Mimoza Kusari – Lilën. Sipas tij, “Çadra e Gadafit” ka qenë instrumenti që ka votuar marrëveshjet e dëmshme për Kosovën.

Sa i përket audio dhe videoincizimeve për të cilat paralajmëroi një ditë më parë, deputeti Abazi tha se bëhet fjalë për tregojnë “diskutimet mes Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusari-Lilës dhe Donika Mihalit për ngufatje të zërave të deputetëve brenda parlamentit” dhe për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Ai ka thënë se çështja e publikimit të këtyre audioincizimeve është çështje e Prokurorisë, derisa ka ftuar gazetarët që t’i kërkojnë ato.  

“Audioincizimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit dhe Dejona Mihalit për ngulfatjen e zërit të deputetëve brenda Parlamentit. Videoincizimet janë ato të cilat ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi i m i fundit, pyetjet e mia, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi brenda LVV-së. Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit që kemi për të sqaruar deri në fund se çfarë ka ndodhur në rastin Dehari. Dhe, si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë, asnjë... IML ëhstë i monitoruar 24-orë nga kamerat dhe dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë nën mostrat tjera dhe janë zhdukur. Porosia ime për ministren Haxhiu është që të kryejë punën e saj si ministre, që e ka obligim para qytetarëve... Mendoj që Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlije Balaj dhe Flutura Goga-Bajramin”, deklaroi Abazi.

Ai e ka quajtur ‘gënjeshtër’ deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu kur ka thënë se ka votim dhe votim të GP të LVV-së për shkarkimin e tij nga drejtimi i Komisionit për Punë të Jashtme. Sipas tij, kjo deklaratë ka ardhur si rrjedhojë e mungesës së informacionit nga ana e saj.

https://kosovapress.com/abazi-ekzistojne-video-qe-tregojne-kush-i-zhduki-mostrat-e-rastit-dehari/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025