AAK prezanton listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e qershorit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
AAK prezanton listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e qershorit
Foto Ilustruese
12/05/2026 - 23:07
Linku u kopjua
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka prezantuar sonte listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit, duke e cilësuar këtë si një kthesë të rëndësishme organizative dhe politike për partinë.
Ashtu siç raportoi KosovaPress, Haradinaj mban numrin 11 në listën e AAK-së për zgjedhjet e qershorit, derisa bartës i listës është Ardian Gjini.
Daut Haradinaj kësaj radhe mban numrin 50 nga lista prej 110 kandidatëve të AAK-së.
Në një postim në Facebook ai shkroi se lista përfaqëson një ekip të përgatitur për përgjegjësi të larta shtetërore dhe përballje me sfidat e reja të vendit.
“Të dashur qytetarë, të nderuara struktura të Aleancës në të gjitha nivelet. Sot dalim para jush me listën tonë të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit. Ky rreshtim shënon një kthesë të madhe organizative dhe politike, duke sjellë para jush një ekip të jashtëzakonshëm e të gatshëm për përgjegjësi të larta shtetërore”, shkruan ai.
Sipas tij, AAK në të gjitha etapat ka dëshmuar se di të marrë vendime në momente historike, ndërsa theksoi se partia synon një vizion më afatgjatë për zhvillimin e vendit.
“Ky është rrugëtimi ynë i përbashkët për ta bërë realitet Andrrën për Kosovën, për një shtet të fortë, të sigurt, të zhvilluar me dinjitet të pacenueshëm, e që i përket secilit”, u shpreh ai.
Sonte deri në orën 24:00 është afati i fundit për dorëzimin e listave me kandidatë për deputetë në KQZ. Zgjedhjet parlamentare mbahen më 7 qershor.