Drejtori i informimit në AAK, Lulëzim Blaka, ka deklaruar se Kurti e ka bërë goditjen e radhës kundër demokracisë duke e vënë nën kontroll të zyrës së tij, Agjencinë e Statistikave të Kosovës.
Blaka ka shkruar në Facebook se Agjencia e Statistikave të Kosovës, ishte burim i informacionit të besueshëm, deri më tani. Aty në shifra të qarta dhe reale, paraqiteshin raportet për pothuajse të gjitha ato që na interesonin të dimë për sektorët kryesorë të shtetit, por edhe statistika të tjera me rëndësi për hulumtime shkencore e të tjera.
U deshën 6 muaj që të bëhej kjo bartje e ASK nën diktaturën e regjimit të VV-së.”, ka shkruar Blaka.
Drejtori për Informim i AAK-së ka krahasuar këtë veprim me masat e dhunshme të vendosura nga Millosheviqi në Kosovën autonome në korrik të vitit 1990 dhe ka falenderuar mediat që po raportojnë guximshëm për këto të bëma të pushtetit.
Blaka ka postuar një krahasim të raporteve të ASK, para dhe pasi ajo të vendosej nën kontrollin e ZKM, duke shtuar se lufta për demokracinë në Kosovë do të vazhdojë dhe se po vijnë ditë të mira për vendin.
“Lufta për demokracinë dhe mos lejimin e vendosjes së autoritarizmit në Kosovë duhet të vazhdojë. Derisa Kurti të mos i sanksionojë edhe institucionet private, unë besoj se ato, bashkë me mediat dhe opozitën, do të mundohen të nxjerrin të dhëna të sakta, që tregojnë dështimin e qeverisë.
Punëtorët e ASK i falënderoj për punën e deritashme, me shpresë që nuk do t’i kap fshesa e diktaturës, por të qëndrojnë aty e të presin ditë më të mira.
E ditët më të mira po vijnë. E ardhmja nuk është e diktaturës, por e demokracisë.”, ka shkruar Blaka.