Charles Kupchan, akademik në Këshillin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, në podkastin “Inside Albania” ka analizuar situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar se ekziston rreziku i përshkallëzimit të dhunës me motive etnike në rajon.
Ai tha se ka një rrezik për dhunë dhe është e dukshme nga fakti se ka pasur shpërthime dhune së fundmi në veri të Kosovës.I pyetur nëse veprimet e Qeverisë së Kosovës janë të drejta, Kupchan sqaron se kryeministri Albin Kurti nuk po vepron në mënyrë të mençur në aspektin politik.
“Nuk ka dyshim se Prishtina ka të drejtën ligjore dhe morale të dojë territorin që është pjesë e Kosovës sovrane dhe të pavarur, dhe t’ia bashkojë qeverisë qendrore, t’i integrojë ata në një shoqëri më të gjerë multietnike. Nëse hapat e ndërmarra nga Kurti janë produktive ose jo, ky është tjetër debat. Mendoj se Qeveria aktuale ka ndërmarrë disa hapa që e kanë dëmtuar pozitën e Kosovës në syrin e opinionit publik. Në kohën e ndërhyrjes së NATO-s që çoi në ndarjen e Kosovës nga Serbia, opinioni publik ishte në krahun e Kosovës dhe Serbia, Vuçiq dhe ata që vinin para tij shiheshin si problemi. Tani kemi një situatë ku SHBA dhe BE e shohin Prishtinën si problem. Po ndërmerr veprime që nuk e ndihmojnë vendin kur bëhet fjalë për të përparuar drejt marrëveshjes që BE ka vënë në tryezë. Edhe nëse ajo që Kurti po bën është e justifikuar ligjërisht dhe moralisht, nuk është politikisht e mençur”, u shpreh ai.
“Ky problem vjen për shkak të shteteve të dobëta, të qeverive që nuk kanë kapacitetet me të cilat ne përshkruajmë një shtet modern. Kjo, në kohë, kërkon që Ballkani Perëndimor të integrohet në Evropë. Kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë, Republikën Serbe dhe Bosnje e Hercegovinën, këto probleme nuk mund të lihen të përshkallëzohen. Kjo, sepse jo vetëm janë rrezik për dhunë etnike, por sepse i vështirësojnë qeverive ndërtimin e kapaciteteve shtetërore dhe krijimin e institucioneve funksionale që duhen për të kontrolluar fluksin e paligjshëm të armëve dhe njerëzve”, ka thënë Kupchan.
Megjithatë, për ekspertin amerikan, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në institucionet euro-atlantike.
Nëse Rusia ka ndikim në rajon ose jo, përmes Serbisë si satelit të saj, eksperti Kupchan thotë se Kremlini po humbet terren në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht ndërhyrjeve.
“Rusët prej kohësh janë përpjekur të ndalojnë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe institucionet atlantike. Qoftë çështja e emrit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, qëndrueshmëria e Bosnje Hercegovinës, operacionet e inteligjencës në Serbi, marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën, kudo mund të gjesh gjurmë të përfshirjes së Rusisë. Mendoj se në këtë trajektore, Rusia po humbet terren. Kjo pjesërisht sepse disa nga ndasitë që Rusia ka kërkuar të shfrytëzojë, janë tejkaluar. Rusët nuk ia dolën të bllokonin anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Ata dështuan ta pengonin Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut të arrinin një zgjidhje për çështjen e emrit. Pak nga pak, ndikimi rus po dobësohet dhe besoj se këtë e përshpejton edhe pushtimi rus i Ukrainës. Edhe një vend si Serbia, që nuk përkrah Ukrainën apo nuk linjëzohet me Perëndimin për vendosjen e sanksioneve, arrihet të shihet e njëjta pamje, se Rusia ka ndërmarrë një agresion të guximshëm kundër fqinjëve të saj. Nga shumë këndvështrime, besoj se po dëshmojmë përpjekjet e fundit të Rusisë për të penguar integrimin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kupchan. /EuronewsAlbania