Vollejbollistja 18-vjeçare Megi Bislimi ka ngritur debate të forta në opinionin sportiv pas mungesës së saj në Kombëtaren e Kosovës. Derisa Federata e Volejbollit thotë se talentja kosovare është ftuar vazhdimisht, por nuk u është përgjigjur ftesave, familja e saj thekson se prioritet mbetet shkollimi dhe zhvillimi akademik i saj.
Për këtë çështjem, për KosovaPress kanë folur sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi, dhe nëna e volejbollistes, Mimoza Shkodra-Bislimi, të cilët kanë shpalosur qëndrimet e tyre mbi situatën.
“Megi faktikisht është lojtare e Kombëtares së Kosovës, ajo ka përfaqësuar kombëtaren tonë në të kaluarën në grupmoshat e ndryshme. Ndërsa para disa viteve ka arritur të kalojë në klubin Eczacibasi në Turqi, ku është duke e kryer edhe shkollimin e saj. Edhe vazhdimisht ka pasur ftesa, mirëpo gjithmonë arsyetimi ka qenë që shkaku i shkollës edhe angazhimeve që i ka në klub...Ka qenë e ftuar edhe në Kombëtaren A, për të marrë pjesë në garat për kualifikimet evropiane, të cilat kanë përfunduar ditë më parë. Mirëpo edhe kësaj radhe domethënë nuk i është përgjigjur ftesës”, theksoi Nikqi.
Nga ana tjetër, nëna e volejbollistes, Mimoza Shkodra-Bislimi, sqaroi se familja e ka vendosur arsimin në vend të parë dhe se kjo është arsyeja kryesore pse Megi nuk ka qenë e gatshme për angazhime me përfaqësuesen.Federata ndërkohë paralajmëron se do të ndërmarrë hapa zyrtarë për rastin, duke njoftuar institucionet ndërkombëtare të volejbollit për mosparaqitjen e lojtares, ndërsa vlerëson se prania e saj do të ishte shumë e rëndësishme për ekipin kombëtar.
“Po me siguri që ne gjatë ditëve në vazhdim do të njoftojmë edhe Federatën Botërore të Volejbollit, edhe Federatën Evropiane për shkak të mospërgjigjes, pasi që ne kemi vërejtur se lojtarja gjatë kësaj periudhe ka pasur paraqitje në garat e ndryshme të volejbollit. Kështu që unë po konsideroj që përvoja e saj dhe tanimë edhe pse në moshë të re, Megi ka arritur të krijojë një përvojë dhe është e domosdoshme dhe do të ishte një shtyllë e kombëtares tonë, që ajo të ishte së bashku me ne, sidomos në lojërat, në garën e Ligës Evropiane të cilën e kemi përfunduar më herët, por gjithashtu që edhe në të ardhmen, sidomos tanimë kur jemi para lojërave mesdhetare të Tarantos”, shtoi tutje Nikqi.
Çështja u komplikua edhe më shumë kur volejbollistja në fjalë u pa në një foto me një grup të madh të volejbollisteve që mbanin flamurin e Turqisë, derisa Nikqi, thotë se ka pasur tendenca që Bislimi ta përfaqësojë Turqinë, e jo Kosovën
Por, nëna e saj thotë se ajo është e vetëdijshme për rregullat e FIVB-së dhe se Megi nuk mund ta përfaqësojë Turqinë, por shtoi se për momentin vajza e saj nuk është e fokusuar te përfaqësimi i asnjë kombëtareje.
“Jo, tashmë jo. Megi i ka takuar Kosovës për ta përfaqësuar kombin e vet kudo nëpër botë. A vjen, a s'vjen, është çështje e saj. Sot nuk mundet me u ndryshu rregullat e FIVB-së janë shumë të qarta. Ne e kemi shumë të qartë këtë si familje. Nuk e ka të mundur për momentin me përfaqësu Federatën Turke. Dhe më lejoni t'ju them diçka, shumë personalisht e kemi diskutuar me të. E mbaj mend më tha, 'unë nuk jam e interesuar as për Federatën Turke, as për Kosovën për momentin për arsye personale'. Sepse ka interesim të shkojë përpara me shkollim dhe jo vetëm me volejbollin”, tha në fund Shkodra-Bislimi.
KosovaPress