Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të mbajë mot kryesisht me diell me temperaturat maksimale deri në 37 gradë Celsius. Lind pyetja, a kanë qenë më parë valët e të nxehtit kaq të padurueshme?
Studime të shumta tregojnë se me ndryshimet klimatike, valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive, veçanërisht në kuptimin e të ashtuquajturës nxehtësia e akumuluar.
Një studim gjithëpërfshirës i botuar në revistën Nature Communications në vitin 2020 zbuloi se ka pasur një rritje të konsiderueshme në frekuencën, intensitetin dhe nxehtësinë e akumuluar shtesë të valëve të nxehtësisë qe nga 1950 deri sot.
Veçanërisht interesante është konstatimi i saj, sipas të cilit tendencat e rritjes së intensitetit mesatar - temperaturat maksimale në valët e të nxehtit- të cilat përgjithësisht nuk janë të shprehura në botë (kryesisht shprehen vetëm frekuenca dhe kohëzgjatja e tyre), janë domethënëse për Amazonën, Brazilin Verilindor. Amerika Juglindore, Azia Perëndimore dhe Mesdheu, i cili konsiderohet si një nga pikat kryesore të ndryshimeve klimatike.
Çfarë është nxehtësia e akumuluar?
Nxehtësia e akumuluar e valës së nxehtësisë i referohet sasisë totale të nxehtësisë së tepërt që grumbullohet gjatë kohëzgjatjes së një ose më shumë valëve të nxehtësisë. Ajo llogaritet si shuma e të gjitha tejkalimeve ditore të temperaturës mbi një prag të caktuar gjatë kohëzgjatjes së valës së nxehtësisë.
Numri i vdekjeve të shkaktuara nga nxehtësia ekstreme është në rritje
Vlerësohet se nxehtësia ekstreme shkakton qindra-mijëra vdekje në mbarë botën çdo vit. Midis 2000 dhe 2019, mesatarisht rreth 489 mijë vdekje të lidhura me nxehtësinë u regjistruan çdo vit. Vetëm në Evropë, rreth 70 mijë vdekje të lidhura me nxehtësinë e tepërt u regjistruan gjatë verës së vitit 2023.