Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Vesel Krasniqi i ka quajtur spekulime raportimet në media se tre deputetët e tyre do të votojnë pro formimit të qeverisë Kurti por pa u përfshirë në koalicion qeverisës.
Krasniqi në një përgjigje për KosovaPress ka thënë se për momentin “s’ka asnjë lëvizje” dhe se Nisma mbetet ende në deklarimet e mëhershme të kryetarit Fatmir Limaj.
Megjithatë, kreu i Nismës Socialdemokrate, është takuar edhe me liderët e taborit opozitar për mundësitë e formimit të qeverisë nga PDK, LDK dhe AAK-Nisma.
“Ne jemi në deklarimet e zotëri Limajt, .s’kemi asnjë lëvizje për momentin. Këto [raportimet] janë spekulime”, tha ai.
Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj është shprehur kategorik kundër një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
KQZ-ja certifikoi rezultatet përfundimtare të enjten më 27 mars dhe sipas tyre LVV-ja ka fituar 48 ulëse, PDK-ja e dyta me 24 ulëse, LDK-ja 20 dhe koalicioni AAK-Nisma 8 ulëse.
Deri më tash, në deklarime publike, LVV-ja ka thënë se do të udhëheqë me qeverinë e re por që preferojnë të bashkëpunojnë me partitë pakicë jo serbe.
Minoritetet jo serbe i kanë 10 deputetë ndërkaq, serbëve u takojnë gjithashtu dhjetë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani tha se shumë shpejt do të caktohet data për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Afati ligjor për këtë është 30 ditë.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë urimeve të festës së Fiter Bajramit të dielën më 30 mars në Bashkësinë Islame, i tha myftiut Naim Tërnava se po synojnë që në seancën e njëjtë kur thirret për betimin e deputetëve të zgjedhin kryetarin e Kuvendit si dhe të formojnë qeverinë e re.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim
Lexo edhe: https://kosovapress.com/me-ke-po-bisedon-lvv-ja-per-formimin-e-qeverise-flet-albulena-haxhiu