Qeveria e Kosovës ka reaguar pas akuzave për problemet teknike të sistemit digjital të KQZ-së, duke thënë se ato janë përpjekje e ulët për të shkaktuar huti, me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij.
Përparim Kryeziu, në një postim në Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me softuerin e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare.
Kryeziu ka përkujtuar se KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga Gjermania, ndërsa prokurimi për softuerin e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion.
“Falënderojmë qytetarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, qytetarinë e lartë të treguar përgjatë procesit të votimit dhe për aktivizmin qytetar për të raportuar çdo lëshim apo gabim të evidentuar gjatë numërimit të votave. Vota e gjithsecilit do të mbrohet, vullneti i qytetarëve nuk do të tjetërsohet”, ka përfunduar Kryeziu.Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi, njoftoi të dielën vonë se softueri i numërimit të votave ka dështuar, duke mos dhënë më shumë detaje
Ueb faqja e KQZ-së u rikthye në funksion të hënën, por vazhdoi të kishte probleme të kohëpaskohshme.
Dje ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.