9 marrëveshjet e miratuara sot nga CEFTA
Biznes
Lexohet për: 4 min.
CEFTA
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Komiteti i Përbashkët i CEFTA-së miratoi 9 marrëveshje të reja që synojnë të transformojnë tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik, si pjesë e realizimit të vizionit për një treg të përbashkët rajonal.

Marrëveshjet, të cilat vijnë vetëm disa ditë para përvjetorit të 10-të të Procesit të Berlinit, premtojnë përfitime konkrete duke thjeshtuar operacionet e biznesit, krijuar mundësi të reja pune dhe forcuar mbrojtjen e konsumatorëve.

Bazuar në rregullat dhe praktikat më të mira të BE-së, këto marrëveshje do të afrojnë tregjet e CEFTA-s me tregun e vetëm të BE-së dhe do të zhbllokojnë potencialin e Planit të Ri të Rritjes së BE-së.

Drejtoresha e përkohshme në Sekretariatin e CEFTA-s Daniela Gaçeviq tha se me këto marrëveshje po krijohet një hapësirë ekonomike më të fortë dhe më e unifikuar për bizneset dhe konsumatorët.

“Ky është një moment i rëndësishëm për CEFTA-n, ndërsa po afrohemi më shumë me tregun e BE-së. Përfitimet do të ndihen në të gjithë CEFTA-n. Kompanitë e vogla dhe të mesme do të fuqizohen për të eksportuar dhe për të shfrytëzuar më së miri tregjet digjitale, ndërsa të gjithë ne do të përfitojmë nga më shumë zgjedhje, çmime më të mira, cilësi dhe mbrojtje më të fuqishme të konsumatorit.”

Pikat kryesore të 9 marrëveshjeve:

1. Njohja e Programeve AEO: Bizneset me përfitime doganore në tregjet e tyre do të gëzojnë këto privilegje në të gjitha 7 tregjet e CEFTA-s, duke përmirësuar shpejtësinë dhe efektivitetin e procedurave doganore, duke kursyer kohë dhe kosto të konsiderueshme.

2. Lehtësimi i Tregtisë Elektronike: Një kuadër i unifikuar do të mundësojë që bizneset të shesin online pa pengesa në tregjet e CEFTA-s, duke e bërë më të lehtë për konsumatorët të blejnë pa kufizime. Gjithashtu, do të vendosen standarde për mbrojtjen e konsumatorëve kur blejnë online.

3. Dorëzimi i Pakove: Rregullat e reja thjeshtojnë dorëzimin e pakove midis vendeve të CEFTA-s, duke përmirësuar kontrollin rregullator dhe duke vendosur standarde të BE-së për transparencën e çmimeve dhe cilësinë e shërbimit.

4. Parandalimi i gjeo-bllokimit të pajustifikuar: Këto rregulla sigurojnë që dyqanet online të mos bllokojnë qasjen në faqe interneti, produkte ose shërbime bazuar në vendndodhjen ose origjinën e konsumatorit, duke lejuar blerje pa pengesa në tregjet e CEFTA-s.

5. Aspektet Tregtare të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale (IPR): Standardet e harmonizuara të IPR do të mbrojnë si bizneset ashtu edhe konsumatorët nga mallrat e falsifikuara, duke nxitur inovacionin dhe mbrojtjen e tregut të CEFTA-s.

6. Krijimi i një Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Rrezikut: Shkëmbimi elektronik i të dhënave do t'i mundësojë doganave të targetojnë më efektivisht dërgesat me rrezik të lartë, duke përmirësuar sigurinë tregtare dhe duke përshpejtuar lëvizjen e mallrave.

7. Lehtësimi i Tregtisë së Shërbimeve nga Agjencitë e Udhëtimit dhe Operatorët Turistikë: Agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë do të kenë qasje më të lehtë në të gjitha tregjet e CEFTA-s, duke krijuar mundësi të reja për rritje dhe tërheqje më të madhe të turistëve në rajon.

8. Mekanizmi i Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve (Protokolli Shtesë 7): Një mekanizëm i ri për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare do të sigurojë drejtësi dhe transparencë, duke rritur besimin e bizneseve në zbatimin e rregullave të lehtësimit të tregtisë të CEFTA-s.

9. Lehtësimi i Sigurimit të Detyrimit të Tretë për Automjetet (Rekomandim): Proceset e thjeshtuara të sigurimit të automjeteve do t'u mundësojnë udhëtarëve të kalojnë nëpër CEFTA pa shqetësime për mbulimin e sigurimit.

Ndryshe, Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s ka miratuar tre vendime të tjera që synojnë reformimin e çështjeve të tij të brendshme. Këto reforma prezantojnë Rregulla të reja të Procedurës për Komitetin e Përbashkët, përditësojnë vendimin që rregullon funksionimin e Sekretariatit dhe krijojnë organe të reja për të mbikëqyrur bashkëpunimin në fusha të reja si dorëzimi i pakove, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe kualifikimet profesionale.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024