Sot bëhen 81 vjet nga masakra më e madhe e kryer ndaj shqiptarëve në Tivar, e cila ndodhi më 30 mars 1945.
Lufta Nacionalçlirimtare apo Lufta e Dytë Botërore sapo kishte përfunduar edhe në Kosovë. Populli shqiptar, i gjendur dhe i rivendosur pa dëshirën e tij në Jugosllavi, megjithatë shpresonte se gjendja e tij do të ndryshonte rrënjësisht në krahasim me paraluftën. Shpresonte për bashkimin me shtetin amë dhe shpresonte për lirinë e fituar në luftë me gjak. Por, në vend se ta gëzonte lirinë e fituar, regjimi serb kishte planifikuar e realizuar masakra masive kudo.
Në dimrin e ftohtë të vitit 1945 “çlirimtarët” jugosllavë iu kishin vërsulur nga të gjitha anët Kosovës dhe viseve tjera shqiptare për t’i gëlltitur ato. Kurse, për ta bërë gllabërimin më të lehtë, njësitë vendore partizane, si aradhet, çetat, batalionet e brigadat, ishin dërguar në frontet e luftës jashtë vendit, kudo nëpër Jugosllavi, gjoja për t’i plotësuar njësitë partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë.
Pos kësaj, regjimi i ri jugosllav kishte mobilizuar dhunshëm edhe dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë për t’i dërguar ata në frontet e luftës në Dalmaci, në Srem e kudo nëpër Jugosllavi. Por, në vend se në frontet e luftës, në muajt mars - prill 1945, shovinistët serbë, maqedonas e malazez kryen vrasje monstruoze e masakra të papara mbi ushtarët – rekrutët duarthatë shqiptarë.Aty janë vrarë, pa asnjë shkak, sipas disa shënimeve, mbi katër mijë ushtarë. Më 18 prill, me një metodë tjetër, atë të ngulfatjes me gaz helmues, në Raguzë (Dubrovnik), janë vrarë edhe 1300 shqiptarë të tjerë. Në qytetin e Tregurit (Trogirit) në Dalmaci u mbytën në det, pas fundosjes me një anije, së paku 29 shqiptarë – ushtarë rekrutë. Numri i saktë i ushtarëve – rekrutëve shqiptarë të vrarë gjatë rrugës nëpër territorin shqiptar, në qytetet e Tivarit, të Raguzës e të Tregurit, asnjëherë nuk është mësuar.
Politika e pushtet mbajtësve të rinj serbë – jugosllavë nuk ndryshonte thuajse aspak nga politika shfarosëse e regjimeve serbe të paraluftës. Shqiptarët akuzoheshin padrejtësisht. Ndaj tyre udhëheqja politike e ushtarake serbe, malazeze e maqedonase kishte krijuar një qëndrim tendencioz dhe disponim thellësisht armiqësor, që reflektonte më vonë, gjatë të gjitha zhvillimeve politike për Kosovën, me veprime të padrejta, me veprime shoviniste e fashiste; duke e “zhvlerësuar” Rezolutën e Bujanit, duke vendosur administratë ushtarake, duke e manipuluar e dhunuar votën në Konferencën e Prizrenit, duke dërguar në Kosovë njësi ushtarake nga Serbia e nga Maqedonia për të bërë krime, duke e çarmatosur popullsinë vendore, duke bërë arrestime të shumta, duke hapur dosje për secilin intelektual dhe shqiptar patriot, duke i eliminuar shqiptarët nga pushteti dhe administrata, duke e bërë mobilizimin e dhunshëm vetëm të shqiptarëve, duke masakruar ushtarët - rekrutët e mobilizuar, por edhe popullsinë duarthatë, duke i dërguar shqiptarët nëpër frontet e luftës jashtë Kosovës e për t’i përdorur ata si “mish për top”, duke i detyruar të shpërnguleshin në Turqi.
Të mobilizuarit shqiptarë – rekrutët e çarmatosur kishin mbetur rrugëve, kishin mbetur nën komandën dhe nën mëshirën e eprorëve dhe të ushtarëve serbë.