Sot qeveria në detyrë ka ndarë nga 100 euro për studentët dhe ka ndarë 20 milionë euro për bursat e mobilitetit, përmes së cilës mbështetën të gjithë studentët që vijnë nga familje me kushte ekonomike ndërmesatare.
Ky vendim erdhi në kohë të procesit zgjedhor, por sipas ministrit në detyrë të financave, Hekuran Murati viti akademik për studentët fillon në tetor dhe se nuk ka lidhje me zgjedhjet lokale.
Gjithashtu, është miratuar edhe për këtë vit programi për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike në Kosovë.
“Me rastin e fillimit të vitit akademik sikurse ka ndodhur edhe në disa prej viteve të mëhershme, kemi ndarje të shumës 100 euro për të gjithë studentët që kualifikohen qoftë në universitete publike apo private që studiojnë në Kosovë. Kemi edhe masën e përhershme të mbështetjes së vazhdueshme që është bursa e mobilitetit, përmes së cilës mbështetën të gjithë studentët që vijnë nga familje me kushte ekonomike ndërmesatare dhe përfitmi apo shuma e bursës përcaktohet varësisht nga distanca e vendbanimit të tyre me universitetin. Kemi bërë edhe ndarjen e shumës prej një milionë euro për zbatimin e masës 3.4 të pakove ushqimore për familjet në nevojë në kuadër të pakos të ringjalljes ekonomike. Gjithashtu patëm edhe miratimin edhe për këtë vit të programit për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike në Kosovë”, tha Murati.
Për studentët të cilët vijojnë në fusha STEM do të kenë mundësinë prej një mijë euro bursë. Ndërkaq, bursa për studime jashtë vendit për nivelin bachelor në vlerë prej 5 mijë euro, ndërsa për nivelin master në nivel prej 8 mijë e 500 euro.
Përveç kësaj janë edhe bursat për studime për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe për studentët me aftësi të kufizuara.
“Viti akademik fillon tash këtë muaj, kjo është arsyeja, po të kishte filluar viti akademik më herët do të bëhej më herët. Kjo është e ndërlidhur me vitin akademik dhe është një premtim nga janari i këtij viti. Ne kemi supozuar që deri më tani institucionet do të ishin përmbyllur, procesi i formimit të institucioneve të reja dhe ky premtim do të fillonte në vitin akademik të ri”, shtoi Murati.
Shuma e përgjithshme e vendimit për përkrahjen e studentëve është raportuar të jetë 26 milionë euro./A. Shala/.